“Hajde ushtari i Jusuf Gërvalles hajde”
Nga Izet Abdyli
Në shtator të këtij viti bëhen saktësisht 43 vite kur si student u arrestova nga milicia atëhershme dhe nuk fshihet dot nga kujtesa, dialogu i pazakontë në mes meje dhe postkomandantit të milicisë në stacionin e milicisë në Gllogoc. Milici që më nxori nga qelia e ftohtë ku kisha qëndruar për 48 orë me shoqëroi deri te dera e zyrës së postkomandantit, trokiti lehtas në derë dhe kur u hap dera me shtyu brenda me forcë, ndërsa vetë dual jashtë. Një çast ndjeva një si molisje nga kontrasti i hapësirës se ftohtë të qelisë dhe zyrës së ngrohtë tejmase. Por sikur më sollën në vete fjalët e postkpmandantit që i shqiptoi me ironi: Hajde ushtari i Jusuf Gërvalles hajde. Në çast u përgjigja se nuk e di kush është ai, edhe pse kisha lexuar dhe shperndarë me shokë në konvikte gazetat ilegale “Bashkimi” dhe “Lajmtari i lirisë” që Jusuf Gërvalla i nxirrte në Gjermani. E din e din mirë më tha dhe i perplasi në tavolinē dy numrat e fundit të gazetës Lajmëtari i Lirisë. Po këto më tha duke drejtuar gishtin te gazetat me një zë të ashpër e duke më goditur sa gati humba drejtpeshimin. Çuditërisht epiteti ushtar i Jusuf Gërvallës edhe pse dilte nga goja e një argati të pushtetit sikur më dha forcë. Për pak sekonda e ndjeva veten.me krenar se kurrë që mund të isha ushtar i Jusuf Gërvallës. Një moment deshta t’i them e kam për nderë të jem ushtar i tij, por nga një trakt që kisha lexuar për rregullat e konspiracionit për mënyren e sjelljes në rast arrestimi bëri që unë të shtiresha sikur nuk dija gjë. As presioni psiqik e as presioni fiziik nuk.bëri punë që ata të gjejnë fijen e lidhjeve me Jusufin, të cilin asnjëherë nuk e takova në jetë por që gjithmonë e kisha idol në punën dhe veprimtarinë time.