Hajdin Abazi merr dekretin për lirim nga detyra e ambasadorit, ky është reagimi i tij
Ambsadori i Kosovës në Australi, Hajdin Abazi, përmes një njoftimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka treguar se sot, në ditën që ka bërë fiks dy vjet nga prezantimi i kredencialeve në Australi, nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka shkuar dekreti për lirimin nga detyra.
“Para tre muajsh, kam dorëzuar kredencialet në Zelandën e Re, dhe kam qenë duke pritur edhe dorëzimin e kredencialeve në Republikën e Fixhit dhe Ishujt Kuk. Ka qenë një nder ta përfaqësojë Kosovën në këtë pjesë të botës, ku kuptova se sa i gabuar është trumbetimi i disa politikanëve në Kosovë se gjoja në botën perëndimore nuk i duan njerëzit e UÇK, por kjo nuk është e vërtetë. Guvernatori-Gjeneral Peter Cosgrove më 20 maj 2019 më priti me një respekt të veçantë pikërisht pse isha veteran i luftës çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Abazi.
Ai ka shtuar me tej se mediat serbe dhe komuniteti serb në Australi kanë bërë presion që të mos akreditohet si ambasador për shkak se ka qenë pjesëtar i UÇK-së, por Qeveria Australiane, megjithatë e ka akredituar. “Për çka i jam shumë mirënjohës këtij vendi të madh mik”.
“Çuditërisht, dy vjet më pas, m’u sot më 20 maj 2021, Qeveria e Kosovës përcjell dekretin që më liron nga detyra e ambasadorit, pikërisht në gjysmë të mandatit, që nuk është praktikë e dinjitetshme në diplomaci!”, shkruar Abazi.
Ai ka falënderuar për bashkëpunim në këto dy vite shumë zyrtarë të dikastereve të MPJD-së, të cilët, sipas tij, janë treguar gjithnjë të përkushtuar dhe efikas.
“Kosova ka shumë sfida përpara, të cilave mund t’u dilet ballë vetëm me një politikë konstruktive, që respekton vlerat, punën, angazhimin dhe kontributin e secilit veç e veç, duke i ruajtur e çmuar ato e jo duke i konsideruar si kundërshtarë edhe kur nuk janë”, ka shkruar Hajdin Abazi.