Hajdutët vjedhin kabllot e autostradës “Ibrahim Rugova”
I vetmi ndriçim gjatë natës në autostradën “Ibrahim Rugova” mund të jenë vetëtimat, kur moti është me vranësira dhe shi.
Edhe pse nga tanimë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u quajt projekt i ëndrrave, për shkak të rëndësisë së qarkullimit drejt shtetit shqiptar, autostrada “Ibrahim Rugova” ka një vit e gjysmë pa ndriçim.
Madje, kjo rrugë shumë e rëndësishme ka mbetur pa ndriçim, edhe pse në të janë investuar hiq më pak se 800 milionë euro.
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Ibrahim Kadriu në një prononcim për “RTV Dukagjinin”, ka thënë se autostrada kishte ndriçim por hajnat vodhën kabllot e bakrit dhe lanë autostradën në terr.
“Me kalimin e kohës, hajnat i kanë vjedhë kabllot dhe trafot, i kanë shit për bakër duke na shkaktuar shumë probleme. Të gjitha rastet janë nën hetime nga policia e Kosovës”, është shprehur zëvendësministri Kadriu.
Kadriu ka thënë se s’ka mjete financiare për ta ndriçuar autostradën, por edhe siguria paraqet problem.
“Nuk kemi mjete financiare, por edhe po të kishim financa për të siguruar ndriçimin, s’ka siguri, nuk ka kush i ruan ato kabllo”, është shprehur më tej zëvendësministri Kadriu.