Hajnat e Kurtit më të mirët në katund
Shkruan: Besa Ismaili, ish deputete e Kuvendit të Kosovës
Qeveria Kurti është qeveri imune dhe indiferente ndaj skandaleve të veta të brendshme. Në fakt, derisa retorika zgjedhore e 2019-tes për antikorrupsion ia rriste votën popullore, retorika korrupsioniste sot ia ushqen militantët dhe i mobilizon ata.
Kryeministri Kurti dhe vartësit e tij gjatë paraqitjeve të tyre mediatike, qoftë madje edhe ato në rrjetet sociale, na kanë bërë të mendojmë se ata janë indiferent ndaj krimit.
Ata jo që nuk marrin masa por edhe u dalin në përkrahje, dhe i heroizojnë të dyshuarit për krime, nga mesi i tyre.
Por vallë a do të vepronin kësisoj sikur të dinin se do të humbnin pushtetin nëse u dalin në mbrojtje korrupsionit? Sigurisht, jo.
LVV-ja në pushtet ka ardhur me gjuhën e urrejtjes dhe ndasisë, dhe ajo po llogaritë që e njëjta kartë do t’u shërbejë për të vazhduar me qeverisjen e pamoralshme në aq shumë aspekte.
Albin Kurti, nëna e populizmit, llogaritë që votuesitë do të prioretizojnë militantizmin partiak karshi argumenteve politike dhe materiale ndaj korrupsionit dhe keqqeverisjes.
Pra, aktualisht në parafushatë politike janë hajnat.
Prandaj sa më i lartë përceptimi se ndëshkimi publik për hajnat po vjen nga kampi opozitar, aq më e lartë mbrojtja madje edhe glorifikimi i tyre.
Me këtë qeveri, duket të jetë hosh dhe qejf edhe të jesh hajn dhe i korruptuar, ndryshe nga qeveritë e kaluara ku të tillët së paku ulnin ca kryet dhe largoheshin nga hapësira publike.
Të jesh hajn/e e Lëvizjes Vetvendosje është vërtetë qejf dhe krenari, edhe sepse përmes mosreagimit dhe mbrojtjes që ia bën kryeministri Kurti këtyre eksponentëve. Këtë mbrojtje nga z.Kurti, militanti e përkthen në “hajni jem më i mirë në katund” dhe lufton kritikën. Ai nuk mendon, nuk analizon, nuk ndëshkon por mobilizohet fuqishëm në mbrojtjen e hajnave të partisë, të fisit, të shtëpisë së vet politike.
Nuk duhet çuditur që më 9 shkurt 2025, përkundër humbjes që do të pësojë partia LVV, pikërisht hajnat dhe hajneshat të fitojnë zgjedhjet individualisht, si dëshmi e asaj për çfarë po flisja në fillim të këtij opinioni.
Rrjedhimisht, edhe të bindemi sikur shoqëria në përgjithësi, nuk e ka hallin me hajninë dhe korrupsionin si dukuri të shëmtuara dhe të dënueshme, por ka hall të kujt janë dhe cilët janë – hajnat!
Sepse hajnat e LVV-së? Ata dhe ato janë më të mirët në katund, de.
Zgjidhje të zgjuara, më pak probleme: Pajisjet që e bëjnë shtëpinë tuaj edhe më të “zgjuar”