Hajnat që hynë në AGK bllokuan kamerat e sigurisë
Kryetarja e Asocacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), Gentiana Begolli, është shprehur e shqetësuar për thyerjen e zyreve dhe vjedhjen e pajisjeve të punës.
Ajo ka thënë se para se të kryhej ky akt vandal kamerat e sigurisë janë bllokuar që prej orës 01:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, në kohën kur edhe mendohet se është bërë.
Begolli ka thënë se pret nga Policia e Kosovës që ta zbulojë këtë rast sa më shpejtë.
“Jashtëzakonisht e shqetësuar me këtë akt vandal… Thyhen zyret e Asociacionit të Gazetarëve në qendër të Prishtinës dhe vidhen mjetet e punës e gjësendet tjera. Për më shumë, bllokohen edhe kamerat e sigurisë të vendosura në lokalin përballë AGK-së, që prej orës 01:00 deri në orën 05:00 të mëngjesit, gjë që na bën të mendojmë se në atë kohë edhe janë thyer zyrat tona”, ka shkruar ajo.
“Pres nga Policia e Kosovës që në kohë sa më të shpejtë ta ndriçojë këtë rast. Zyrat e AGK-së gjenden para Katedrales, e cila është e rrethuar me kamera sikurse edhe nga lokalet e shumta përreth, të cilat po ashtu janë të monitoruara nga kamerat e sigurisë. Lufta e secilit me gazetarë dhe kundër tyre do të jetë e humbur”, ka thënë Begolli.
/Epoka e re/