Hajredin Kuçi tregon se çka ka ndryshuar PDK-ja, e pse u rikthye në skenën politike
Kandidati për deputetë nga radhët e PDK-së, Hajredin Kuçi, i cili garon me numrin 2, në këtë listë në intervistë në Interaktiv, ka thënë se ai ka vazhduar të jetë në PDK, por se nga viti 2017 nuk ka pasur përgjegjësi publike.
Ai thotë se tashmë janë disa motive shtesë të cilat e kanë angazhuar në politikë.
“Janë disa zhvillime për të ardhmen e vendit dhe secili duhet të japim kontributin tonë. Në PDK janë bërë disa reforma dhe këtu ka pasur nevojë që edhe themeluesit e partisë ta ruajmë kohezionin por edhe të shtojmë anëtarë të rinj, por edhe kandidimi i Veselit si kryeministër ka qenë një shtytje për t’u angazhuar”, ka thënë ai.
Kuçi në Interaktiv ka thënë se kësaj radhe PDK ka marrë përgjegjësinë mbi supet e veta.
Ai thotë se Veseli e ka identifikuar partinë me vizionin e tij, duke shtuar se ai përputhet në tërësi me vizionin e partisë.
“Nga viti 2014 nuk kemi qeverisur dhe ne kemi ofertë përballë qytetarëve. Në skenën politike të vendit gjërat shihen bardh edhe zi, është e vërtetë që PDK ka përgjegjësi për zhvillimet në Kosovë. PDK-ja është e vërtetë që ka marrë pjesë në qeverisje dhe kur ka udhëhequr ka pasur përgjegjësi më të madhe”, ka thënë ai.
Sipas tij, asnjëherë nuk ka pasur zhvillime më të mëdha politike se sa në vitit 2008-2014.
“Kemi ndërtuar shtetin e Kosovës, kemi përfunduar pavarësinë e mbikëqyrur. Është e vërtetë që historia i ndihmon personalitetet, por nëse dikush është lokomotivë rezultatet arrihen më shpejtë. Me PDK-në dinamika do të ishte më e madhe. Kosova ka nevojë edhe për një ri-ngritje, siç është partneriteti ndërkombëtare. Qeveria duhet të ketë prioritet dialogun, zhvillimin ekonomik dhe integrimet evropiane”, ka thënë ai.
Sipas tij nëse analizohen premtimet e fushatave të kaluara, tashmë premtimet kanë ndryshuar pasi që thotë se shumë gjëra janë kryer.