Hajredin Kuçi: Vuçiq është një idiot që mendon se me veprimet e Millosheviqit mund të sjellë rezultate
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është një idiot që mendon se me veprimet e kohës së agresorit, Sllobodan Millosheviqit, mund të sjellë tani rezultate të tjera.
Kuçi, tha se Vuçiq dhe strukturat e shtetit serb duhet ta dinë që ushtria e Kosovës ka qenë dhe është rezistente.
“Agresori, po e lidhi me thënien e Einstein ‘me veprimet e njëjta, me prit rezultat tjetër duhet të jesh idiot’, dhe unë mendoj që Vuçiq është njëri prej atyre idiotëve që po mendon se me veprimet e njëjta sikur të kohës së Millosheviqit mund të jap rezultate të tjera. Unë dua të them se tash bashkësia ndërkombëtare e dinë që ata mund të përdorin edhe shkallen e gjenocidit ndaj një populli tjetër siç ka qenë te ne, në Bosnje dhe diku tjetër. Po ashtu, ai dhe të tjerët duhet ta dinë që Kosova me një ushtri në lindje, me një ushtri në krijim ka qenë rezistuese, ndërsa tani jemi konsoliduar edhe si shtet edhe si popull”, tha profesori universitar.
Sipas ish-zëvendëskryeministrit, qëllimi i Serbisë që ka mbetur i njëjtë, nuk lejon të ketë sukses në dialog dhe nuk lejon të krijohen raporte të shëndosha ndërmjet palëve.
“Mbi të gjitha Kosova nuk e dëshiron luftën, jam i bindur, Kosova e dëshiron paqen, por paqen me drejtësi që i garanton Kosovës ruajtjen e sovranitetit, tërësinë territoriale. Qëllimi i atyre ka mbetur i njëjti dhe ky qëllim nuk lejon në radhë të parë të ketë sukses në dialog, e dyta, nuk lejon që të krijohen raporte të shëndosha, paqësore në tërë rajonin dhe përmban situatën e tensionuar”, deklaroi Kuçi.
Ish-ministri i Drejtësisë tha se edhe pas 24 viteve të çlirimit flitet për një agresion të mundshëm si të vitit 1998.
“Imagjinojeni, 24-vite pas çlirimit ne flasim për teme të njëjta, ne flasim për një agresion të mundshëm sikur të ishte vitit ’97, ’98. Po të mos ishte gatishmëria jonë, por edhe mbështetja ndërkombëtare do të ishim ata që shtrihemi në mbrëmje dhe zgjohemi në mëngjes me frikën që mund të na sulmojë dikush”, shtoi Kuçi.