Hajrije Zeka, nëna Li, nëna e lirisë që na mungon të gjithëvë

12 prill 2025 | 13:13

Nga Astrit Gashi

Nuk ka dhimbje më universale se ajo e një nëne që zhduket pa varr, pa lajm, pa zë. Por kur kjo nënë është Hajrije Zeka Nana Li ajo dhimbje nuk është më private. Ajo është dhimbja jonë kolektive. Sepse Nana Hajrije nuk është vetëm nëna e Milaim Zekës. Ajo është nëna jonë. Nëna e të gjithëve.

Nëna që nuk u pajtua me pushtimin, por qëndroi. Nëna që nuk pati pushkë, por pati guxim. Nëna që nuk shkroi histori, por u bë histori. Ajo është simboli më i heshtur dhe më i zëshëm i të vërtetës sonë të mohuar se liria jonë ka pasur çmim të tmerrshëm, dhe ky çmim shpeshherë nuk është paguar me armë, por me heshtje, me gjak të pafajshëm, me nënat që u flijuan në shtëpitë e tyre.

Kur paramilitarët serbë hynë në Sofali, me 12 prill ata nuk panë luftëtarë. Panë një çift pleqsh që nuk kishin asgjë, përveç kujtimeve dhe një album me fotografi të djalit të tyre, gazetarit që bënte luftën me kamerë, me fjalë, me të vërtetë. Dhe prapë ata nuk kursyen asgjë. Dogjën shtëpinë. Dogjën gjithçka. Dogjën edhe mundësinë që ajo të ketë një varr.

E megjithatë, ajo nuk u zhduk asnjhereë nga zemrat tona! Sepse për aq kohë sa një popull i kujton nënat e veta ato jetojnë. Nana Hajrije është e gjallë në çdo zemër që nuk e pranon harresën si kompromis. Ajo është pranë nesh kur e thërrasim të vërtetën me emër dhe mbiemër. Është me ne kur kërkojmë drejtësi për të zhdukurit, kur i kërkojmë institucionet që nuk guxojnë më të rrinë indiferente.

Sepse një shoqëri që e lejon një nënë të digjet në një prag pa kthim, dhe të mos dijë as sot se ku prehet është një shoqëri që ka harruar nderin e vet.

Në kohë paqeje, nuk ka justifikim për heshtje. Të gjithë jemi përgjegjës jo vetëm për të kërkuar drejtësi për Nanën Li, por për të gjithë nënat si ajo. Nuk ka liri të vërtetë pa kthyer nderin e atyre që u flijuan për të. Nuk ka demokraci të qëndrueshme pa ndriçuar errësirën e zhdukjeve. Nuk ka paqe pa varre të njohura.

E prandaj, sot, duhet ta themi me zë të lartë: Nana Hajrije Zeka është monumenti i sakrificës sonë sublime për lirinë tonë kolektive. Ajo është nëna e Lirisë. Nëna e së vërtetës. Nëna që na mungon të gjithëve.

Dhe për aq kohë sa ne nuk dimë ku prehen eshtrat e saj, nuk kemi të drejtë të flasim për mbyllje të kapitujve të historisë. Sepse pa të zhdukurit tanë, historia jonë është një faqe e grisur.
Sepse pa Nënën, asnjë komb nuk është i plotë.

Tani është koha që të mos mbajmë më vetëm përkujtim. Por të kërkojmë me këmbëngulje. Të zbulojmë. Të shkruajmë. Të mos harrojmë. Sepse nuk kërkojmë hakmarrje kërkojmë dinjitet. Kërkojmë vend për një tufë lule. Kërkojmë paqe për shpirtin e saj.

Për Nanën Li. Për të gjitha nënat tona. Për të vërtetën që na bën njerëz që duhet të luftojmë për drejtesi për të sjell eshtrat e nënës Hajrije aty ku e kanë vendin në tokën tonë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diaspora e Kosovës është një aset i fuqishëm, por i…