Hajrizi: Asgjë nuk është e paarritshme

26 shkurt 2019 | 13:19

Drilon Hajrizi është shumë optimist se Kosova ka ende shanse për të siguruar një vend në “Eurobasket 2021”.

Basketbollisti i Përfaqësueses së Kosovës në Basketboll, Drilon Hajrizi, ka thënë se humbja nga Rumania erdhi për shkak të shumë faktorëve. Sipas tij, rumunët zhvilluan një lojë të mençur e cila ia solli fitoren të dielën në Prishtinë.

“Mendoj se loja ka pasur periudha të mira për t’u dëshiruar, por kishte edhe periudha shumë të këqija. Ne kemi shumë talente në ekip ashtu sikurse edhe ekipi kundërshtar, Rumania, por ne nuk i shfrytëzuam përparësitë dhe kapacitetet që kishim. Nuk kishim përqendrimin e duhur në fund të ndeshjes, por edhe mungesa e përvojës ka ndikuar që të humbim këtë ndeshje. Kundërshtari luajti me shumë pjekuri dhe me një lojë shumë kolektive duke i ndihmuar njëri-tjetrit si në sulm, po ashtu edhe në mbrojtje, prandaj në fund edhe doli fitimtar”, ka deklaruar Hajrizi, raporton “Epoka e re”.

Pavarësisht prej humbjes nga Rumania, gjasat e Kosovës ende nuk janë shuar që Kosova të jetë pjesë e “Eurobasket 2021”.  “Dardanët” janë sistemuar në Grupin B së bashku me Luksemburgun dhe Britaninë e Madhe. Lidhur me këta dy kundërshtarë, Hajrizi ka deklaruar se asgjë nuk është e pamundur. “Kundërshtarët janë shumë kualitativë, sidomos Britania e Madhe, por shpresoj se ekipi do të përgatitet maksimalisht dhe asgjë nuk është e paarritshme”, ka thënë Hajrizi për “Epokën e re”.

Basketbollisti nga Mitrovica rikthehet në Përfaqësuesen e Kosovës në basketboll pas një kohe të gjatë. Lidhur me këtë rikthim, Hajrizi ka treguar se po ndihet mirë, por ajo që e pikëllon njërin nga basketbollistët më të mirë në vend është humbja e pësuar. “Për një lojtar reprezentacioni është e arritura më e madhe të cilën e përjeton. Sinqerisht jam ndier shumë mirë për rikthim, por po ndihem keq që nuk mund ta ndihmoj Kosovën për të shënuar fitore”, ka shtuar Hajrizi.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kepa Arrizabalaga nuk pranoi te zëvendësohej në fund të ndeshjes…