Hajrizi: Dhjetë vjet punuam për orgazinimin e demonstratës së 11 marsit të vitit 1981
Mehmet Hajrizi, njëri nga akterët kryesor të demonstratës së organizuar në vitin 1981 kundër sistemit të Jugosllavisë, ka treguar të gjithë hapat dhe qëllimet e atij tubimi historik.
Hajrizi në Info Magazine ka thënë se Lëvizja Shqiptare që ishte e formuar atëherë kishte punuar për dhjetë vjet rresht për organizimin e kësaj proteste të madhe.
“Një demonstratë me përmasa të tilla me një rëndësi të tillë nuk mund të organizohet brenda një nate, një muaji, as edhe brenda një viti. Kjo kërkon një punë sistematike të pareshtur dhe të organizuar mirë, për të vetëdijesuar masat e gjera se janë në robëri”.
“Më 11 mars të vitit 1981, ishte shkëndija e parë e ndezjes së asaj kryengritje, studentët e Universitetit të Prishtinës u ngritën pasi ishin të pakënaqur me gjendjen e tyre sociale. Nga kjo natë ndodhën edhe ngjarjet tjera duke vazhduar më 26 mars, 31 mars, 1 dhe 2 prill. Në vazhdimësi, kjo demonstratë ishte kujtuar edhe gjatë vitit tjetër. Studentët ishin ata që e bënë vet këtë organizim, papjesëmarrjen dhe panjohuritë e profesorëve të tyre”.
Hajrizi ka theksuar se qëllimi kryesor i asaj demonstrate ishte që së pari Kosova të bëhej Republikë dhe më vonë të bashkohej me Shqipërinë.
“Qëllimi kryesor në programin e të gjithë organizatave të atëhershme ishte çlirimi i Kosovës dhe i të gjitha trevave shqiptare që ishin nën Jugosllavi, dhe më pas ishte bashkimi i tyre me Shqipërinë. Demonstratat patën parullë kryesore “Kosova Republikë”, ne nuk kishim hequr dorë nga bashkimi kombëtar, ne mendonim se duke realizuar republikën do të afroheshim drejt së drejtës për bashkimin kombëtar”.
Ai ka deklaruar se parulla “Ja me hatër ja me luftë” tregonte se si mjet i realizimit të të drejtave të shqiptarëve ishte lufta.
“Si mjet i realizimit të të drejtave të shqiptarëve ishte lufta, ishim të vetëdijshëm se nuk fitohet një e drejtë kaq e madhe, siç është ajo e Vetëvendosjes. Prandaj edhe në demonstratën e vitit 1981 ishte përmendur kjo parullë për të treguar se ne jemi të vendosur ta fitojmë të drejtën tonë, qoftë në formë demokratike dhe qoftë me luftë edhe duke u flijuar për të drejtën tonë”.
Hajrizi ka pohuar se ndaj pjesëmarrësve të protestave që u mbajtën gjatë këtij viti ishin bërë arrestime të mëdha dhe ishte përdorur dhunë nga sistemi i atëhershëm.