Hajrulla Çeku kritikon raportimin e kryeministrit në Kuvend
Deputeti i Vetëvendosjes, Hajrulla Çeku, ka kritikuar raportimin e djeshëm të kryeministrit Avdullah Hoti në Kuvend për marrëveshjen e Uashingtonit.
Në një konferencë për medie, ai ka deklaruar se gjatë raportimit kishte vetëm improvizime. “Ka mungesë të transparencë, shumë improvizime. Aty vetëm raportim nuk kishte”, ka deklaruar ai.
Çeku ka thënë se kjo qeveria pranon në negociata me Serbinë çfarëdo që i ofrohet në tavolinë. “Këta nisen në negociata pa e ditur paraprakisht se çka është agjenda dhe çka i pret aty. Këta thjesht pranojnë çfarëdo që i servohet në tavolinë, dukë përbërë rrezik për kushtetutën e rendin tonë republikan”, ka thënë ai.
Çeku ka kritikuar kryeministri edhe për zotimin që ka dhënë në marrëveshjen e Uashingtonit për kishat dhe manastiret serbe në Kosovës.
Sipas tij, këto zotime janë antikushtetuese.
“Delegacioni ka udhëtuar në Uashington pa asnjë kërkesë dhe ato pika nuk duhet të diskutohen. Kishat ortodokse serbe asnjëherë nuk ka kërkuar falje sa i përket krimeve që kanë ndodhur në Kosovë, por i ka pagëzuar ata që i kanë kryer krimet”, është shprehur Çeku, duke e pyetur kryeministrin se me këto veprime apo hapet Pako e Ahtisarit. “Kisha ortodokse serbe nuk e njeh shtetin e Kosovës. Pyetja është se çka ka mbetur t’i jepet më shumë kishës serbe, a po hapet pako e Ahtisarit, apo i jepet ekstra-territorialitet kishës serbe. Pra këto nuk ka kthyer përgjigje kryeministri”, ka deklaruar ai.