Hakerët sulmojnë sërish kompanitë e mëdha përmes MOVEit
Deutsche Bank, Commerzbank dhe ING janë mes dhjetëra kompanive të goditura nga një sulm kibernetik.
Të dhënat që panë hakerët përfshinin emrat e klientëve dhe numrat e llogarive, tha ING në deklaratën e saj. Problemi në softuer është rregulluar që atëherë, thanë bankat.
Që nga fundi i muajit të kaluar, hakerët kanë shfrytëzuar një defekt në MOVEit, të cilin kompanitë dhe organizatat e përdorin për të transferuar të dhëna. Sulmi i mëparshëm, i cili dyshohet se u krye nga një grup hakerash i njohur si Clop, rezultoi në vjedhjen e të dhënave nga dhjetëra organizata dhe agjenci qeveritare në SHBA dhe Evropë. Kompanitë që ranë pre e sulmit janë gjigantët e naftës Shell dhe British Airways, së bashku me bankat, kompanitë e ndërtimit dhe universitetet.
Ekspertët e sigurisë kibernetike kanë kohë që gjurmojnë hakerat, të cilët besohet se janë me bazë në Rusi, pasi ata janë kryesisht aktivë në forume në gjuhën ruse. Rusia është akuzuar prej kohësh se është një strehë e sigurt për bandat e ransomware, diçka që ajo e mohon.
Sidoqoftë, Clop operon si një grup “shërbim ransomware”, që do të thotë se hakerët mund të marrin me qira mjetet e tyre për të kryer sulme nga kudo. Në vitin 2021, hakerët e dyshuar të Clop u arrestuan në Ukrainë në një operacion të përbashkët midis Ukrainës, SHBA-së dhe Koresë së Jugut. Në atë kohë, autoritetet pretenduan se kishin shkatërruar grupin, për të cilin ata thanë se ishte përgjegjës për vjedhjen e 500 milionë dollarëve në mbarë botën.