Haki Abazi e mbron Xhavit Halitin në Komision, përplaset me Fitore Pacollin
Dy deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Haki Abazi janë përplasur sot në mbledhjen e Komisioni për Punë të Jashtme.
E tëra kjo nisi gjatë kohës sa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti po kërkonte nga ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla që të përgjigjej në pyetjet që i parashtroi ai, në mbledhjen raportuese të saj.
Deputetja Pacolli e tërhoqi vërejtjen që siç tha ajo, të diskutojnë për çështje profesionale.
“Ne detyrohemi ta lëshojmë sallën dhe s’do të ketë kuorum. Kështu që të lutem, e tërheq vërejtjen sepse janë çështje profesionale që ne duhet t’i adresojmë këtu. Është politika e jashtme, është puna e ministres që po raporton e jo çështjet personale të juaja”, ka thënë Pacolli, raporton Ekonomia Online.
E pas kësaj deklarate të Pacollit, ka reaguar kryetari i Komisionit nga LV-ja, Haki Abazi.
Ai i tha Pacollit se është e drejtë e deputetëve që të parashtrojnë pyetjet që duan pavarësisht përgjigjeve të ministres.
Ky reagim i Abazit erdhi pas tërheqjes së vërejtjes së Pacollit ndaj deputetit Haliti. “Veç pak, veç pak. Ne edhe në të kaluarën kemi pasur tentime për ballafaqim, por është e drejta e secilit këtu me shpreh opinionin e vet. Mendoj se është demokraci parlamentare. Z. Haliti i ka mendimet e veta. Është deputet i Parlamentit. Mundemi me gjet rastin dhe me ju përgjigj për ato që janë për t’u përgjigjur këtu, edhe në seancë të mbyllur. Është në diskrecionin e një deputeti të ketë shtruar çështje që mund të jenë çështje e brengosjes së tij apo të saj, ose edhe të anëtarësisë”, ka thënë Abazi.