Haki Abazi ‘shpërthen’ para eurodeputetëve: S’po më lënë të flas, Kurti e paska caktuar Armend Mujën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi e ka kundërshtuar pozicionin e qeverisë në raport me dialogun dhe proceset euro-integruese, në një fjalim të ashpër në mbledhjen e përbashkët të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.
Në ditën e dytë të mbledhjes së komisionit që përbëhet nga deputetë të Parlamentit Evropian, si dhe të Parlamentit të Kosovës, Abazi mori fjalën në Kuvendin e Kosovës dhe shpalosi qëndrimet e tij, të cilat tha se janë “krejt të ndryshme” nga pozicionet e qeverisë.
Kreu i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme tha se “mesa duket” deputeti Armend Muja është përcaktuar nga pushtetit që të paraqes pozicionin e qeverisë. Tha se qëndrimi i tij është i pavarur, në cilësinë e deputetit.
“Falemnderit z. kryesues, mirëmëngjesi për të gjithë. Mendoj se kjo temë është jashtëzakonisht e rëndësishme. Kam folur në emër të Grupit Parlamentar, por këtë herë nuk jam lejuar të flas në emër të grupit sepse kam një pikëpamje krejt të ndryshme, dhe për këtë mendoj se është e rëndësishme që të kemi këtë diskutim të sinqertë mbi dialogun dhe bashkëpunimin rajonal. Mesa duket, kryeministri ka vendosur ta caktojë Armend Mujën të përfaqësoj qëndrimin rreth dialogut, kështu që pozicioni im është pozicioni i pavarur si deputet”, tha Abazi.
Abazi tha se Kosova ka ngecur në procesin e liberalizimit të vizave, i cili, sipas tij, është ndërlidhur padrejtësisht me procesin e dialogut.
“Jemi bllokuar, absolutisht të bllokuar. Mbrëmjen e kaluar, presidenca çeke ka pranuar pozicionin e Francën mbi sistemin ETIAS. Mund të thoni se dialogu nuk e ka përdorur liberalizimin e vizave si një instrument për dialogun”, tha Abazi.
Temë e diskutimit në sesionin e Komisionit Parlamentar për Marrëveshjen e Atbailizim-Asociimit BE – Kosovë do të jetë dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, si dhe bashkëpunimi rajonal.
Ndërsa dje në ditën e parë të këtij takimi, në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, u diskutua për progresin e Kosovës në procesin e integrimit evropian dhe nevojën për liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë.
Nga Bashkimi Evropian u theksua përmbushja e kritereve për heqjen e regjimit të vizave, ndërsa nga Qeveria e Kosovës thanë se kushtëzimi i liberalizimit të vizave me hyrjen në fuqi të sistemit ETIAS është i padrejtë, jo-fer dhe i paarsyeshëm.