Haki Abazi tregon se cilat janë arsyet që Biden s’e përmendi njohjen reciproke

15 shkurt 2023 | 23:02

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, së fundmi i ka uruar presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ditën e pavarësisë së Serbisë.

Në letrën drejtuar Vuçiqit, ndryshe nga dy vitet e kaluara, Biden i ka përmendur presidentit serb rëndësinë e normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, por jo njohjen reciproke mes dy shteteve.

Kjo çështje ngriti mjaft shumë pikëpyetje duke marrë parasysh kritikat ndaj Qeverisë Kurti për raportet mes Kosovës dhe SHBA-së.

Lajmi.net ka kontaktuar me Haki Abazin, deputetin e partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, për të marrë një koment rreth kësaj çështje dhe për ta pyetur për mendimin e tij sa i përket raportet e Kosovës me SHBA-në.

Edhe sa i përket letrës së Bidenit të dërguar Vuçiqit, Abazi ka deklaruar se ky është qëndrim konsistent i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Mendoj që është qëndrim konsistent i Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket përkrahjes, Pavarësisë, integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës. Fokusi duhet vendosur tek qëndrimi amerikan për pavarësinë, integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit”, ka deklaruar Abazi.

Ndërkaq, sa i përket pozicionit aktual të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, Abazi ka thënë se aspektet e dialogut janë çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës që sipas tij aktualisht janë të fokusuara në Ukrainë.

“Aspektet e dialogut janë çështje të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, e cila realisht në këtë fazë është e fokusuar në Ukrainë dhe për të tërhequr Serbinë nga djepi i Rusisë është e rëndësishme të mbahet në vijën e procesit i cili duhet të kulmojë patjetër me njohjen e dyanshme reciproke”, ka thënë Abazi.

Deputeti i VV-së ka folur edhe për situatën në veri të vendit dhe planin franko-gjerman për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Këtu duhet shtuar edhe çështjen e tensionimit në veri dhe barrikadat të cilat u reflektuan mbi dështimin e dialogut të udhëhequr nga Lajçaku. Tani jemi në një fazë të ndërmjetme që mendoj se është e mirëseardhur në kontekstin në të cilin jemi, e ai është plani franko-gjerman si kornizim i ri i dialogut.

Por, edhe brenda këtij kornizimi duhet të ketë edhe mençuri edhe përgatitje me ekspertizë nga pala kosovare që të avancojë drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO si dy objektiva shumë të rëndësishme, të cilat nuk duhet hequr fokusin prej tyre”, ka thënë Abazi.

Kujtojmë se për letrën e Bidenit drejtuar Vuçiqit ku nuk u përmend njohja reciproke, sot u pyet edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, por i njëjti nuk dha përgjigje konkrete rreth kësaj çështje.

Prishjen e raporteve me SHBA-të e kishte konfirmuar disa javë më parë edhe ambasadori i Kosovës në SHBA, Ilir Dugolli, i cili përmes raportit vjetor të ambasadorit, dërguar ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, kishte konfirmuar se raportet bilaterale mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk janë si zakonisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Real Madrid ka marrë një fitore bindëse në shtëpi me…