Hakohet fushata e Trumpit, Irani i dyshuari kryesor
Ekipi i fushatës së ish-presidentit amerikan dhe kandidatit aktual për president Donald Trump, ka njoftuar se fushata ishte hakuar dhe sugjeroi se aktorët iranianë ishin të përfshirë në vjedhjen dhe shpërndarjen e dokumenteve të ndjeshme.
Ata nuk dhanë prova specifike të përfshirjes iraniane; megjithatë, pretendimi i tyre vjen një ditë pasi Microsoft lëshoi një raport që detajon përpjekjet e huaja për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA.
Bëhet e ditur se raporti jep një shembull në të cilin inteligjenca ushtarake iraniane i dërgoi “një email spear-phishing një zyrtari të rangut të lartë të një fushate presidenciale nga një llogari emaili e komprometuar e një ish-këshilltari të lartë”.
Zëdhënësi i fushatës së Trumpit, Steven Cheung, fajësoi për veprën “burimet e huaja armiqësore të Shteteve të Bashkuara”, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare tha në një deklaratë se ai e merr çdo raport për ndërhyrje të huaj “jashtëzakonisht seriozisht” dhe dënon përpjekjet për të minuar besimin në institucionet demokratike të SHBA-së.
Ndryshe, kur u pyetën për pretendimin e fushatës së Trumpit, Irani mohoi të ishte i përfshirë, edhe pse nuk është hera e parë që ai dyshohet të ketë ndërhyrë në zgjedhjet e një vendi.
Më parë iranianët kanë qenë të dyshuar për hakimin e fushatave kundër armiqve në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.
“Ne nuk u japim asnjë besim raporteve të tilla”, tha qeveria iraniane.
“Qeveria iraniane nuk posedon dhe as strehon ndonjë qëllim apo motiv për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të Shteteve të Bashkuara”, shtoi ajo.