Halep, bartëse e flamurit në ‘Tokio 2020’
Tenistja rumune Simona Halep, fituese e grand slam-it të Wimbledon, është pritur si një heroinë në vendlindjen e saj. Ajo triumfoi për herë të parë në turneun londinez, pas fitores 2-0 në finale ndaj Serena Williams.
Ajo është tenistja më e mirë rumune, ndoshta sportistja më e mirë e këtij vendi, ndaj Komiteti Olimpik Rumun ka vendosur që ajo të mbajë flamurin në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike “Tokio 2020”.
Lajmin e konfirmoi Mihai Covaliu, presidenti i olimpizmit rumun. Halep ka mbetur e befasuar nga ky lajm, duke thënë: “E kam thënë edhe më parë, që objektivi im kryesor vitin e ardhshëm do të jetë medalja në Olimpiadën japoneze. Tani që do të mbaj edhe flamurin jam më shumë e motivuar”.
Simona Halep ka marrë pjesë vetëm në Olimpiadën e “Londër 2012”, ku u eliminua që në raundin e parë. Ndërsa në “Rio 2016” ajo nuk mori pjesë. Gjithsesi, në “Tokio 2020” ajo do të jetë një ndër favoritet për të fituar medaljen.