Halimi heshti gjatë, por “Ëndrra, shi dhe lule” po i pritet mirë
Poeti Fadil Halimi, i cili në vitet nëntëdhjetë botonte shpeshherë poezi në revistën “Jeta e re”, në fund të muajit maj të këtij viti ka botuar librin me poezi “Ëndrra, shi dhe lule”, i cili, sipas redaktorit të librit, Imer Topanica, poezitë e këtij libri risjellin copëza, sekuenca dramash, çaste ekzaltimi, ngazëllimi e pikëllimi nëpër të cilat ka kaluar shpirti poetik. “Në kuptimin e kontekstit kohor, disa vargje u takojnë akteve krijuese shumë të hershme, të artikuluara e të publikuara nëpër revista letrare, këtu e disa dekada”.
Sipas Topanicës, titulli “Ëndrra, shi dhe lule”, na e sugjeron një lloj leximi të tillë semantik, duke na paralajmëruar se nëpërmjet ëndrrës mund ta takojmë shpresën; nëpërmjet shiut, trishtimin; nëpërmjet metaforës së lules, dashurinë. “Gruaja, atdheu, nëna, babai, motrat, i biri etj., vijnë si trajta simbolikash nëpërmjet të cilave vihet gurthemeli i këtij kodi tematik”, ka shprehur mendimin Topanica.
Ndërkaq recensenti i parë i librit, Ahmet Selmani, ka veçuar toposin lirik të librit, duke shprehur se në këtë libër poetik “kemi të bëjmë me një rrafsh shpirtëror, ku ndodh mishërimi dhe trazimi emocional për gjërat e shtrenjta siç janë: njerëzit e afërt, e dashura, nëna, babai, vogëlushi, miqtë”.
Ndërkaq recensenti tjetër i librit, Xheladin Rexhepi, ka thënë se poezia e Halimit dallon nga arketipi i motiveve libreske, pa gjak, pa imagjinatë dhe fabul. “Kultivon një formë shprehëse poetike të lirshme, të dendur, si në aspektin motivues, ashtu edhe në metrikën e zgjedhur përtej skemave klasike”, ka konstatuar Rexhepi.
Shënime për autorin
Fadil Halimi lindi më 21 qershor 1965 në fshatin Dumnicë të Podujevës. Studimet për Letërsi dhe Gjuhë
Shqipe i ka mbaruar në Fakultetin e Filologjisë në Prishtinë. Ka punuar gazetar, korrespodent nga Podujeva në të përditshmet “Rilindja” dhe “Zëri”. Tash punon profesor në Shkollën e Mesme Teknike “Fan S. Noli” në Podujevë.
Në vitin 1992 ka botuar përmbledhjen me poezi “Proces në kafkë”, në NGBG “Rilindja” në Prishtinë.
Mbi bazën e motiveve të këtij libri, Teatri i Qytetit i Podujevës inskenoi shfaqjen teatrale “Ankth”, nën regji të Agron Gërgurit.
“Ëndrra, shi dhe lule” është libri i tij i dytë.