Halimi i reagon LV-së: Kontestimi i vendimeve të Kushtetueses, i rrezikshëm për demokracinë

19 dhjetor 2023 | 15:24

Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka reaguar ndaj sulmeve të Lëvizjes Vetëvendosjes kundër partive opozitare.

Ajo ka bërë me dije se kontestimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga partia në pushtet është i rrezikshëm për demokracinë e vendit.

Halimi ka thënë se ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese do të duhej ta këndellnin pushtetin. “Qasjen e partisë në pushtet ndaj shtetit si projekt i përkohshëm e dëshmojnë edhe veprimet për ta zbatuar këtë ide. Kontestimi i vendimeve kushtetuese më qëllim të propagandimit kundër Lidhjes Demokratike, i rrezikshëm për frymën e krijuar të LV-së kundër institucioneve të vendit. Është tejet e rrezikshme për demokracinë dhe konstruksionin tonë shtetëror, sfidimi që pushteti ia bën kushtetutshmërisë së vendit”, ka shkruar Halimi në “Facebook”.

Sipas saj, propaganda e LV-së nuk do të mund t’i mbulojë dështimet e qeverisë Kurti. “Ligjet e rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese, në vend që ta këndellin pushtetin për humnerën ku po e dërgon vendin, po përdoren nga ky i fundit si arsenal për artilerinë e propagandës. Propaganda klishe e përbërë nga narrativa populliste e stërpërdorur, nuk mbulon kurrsesi dështimin kolosal në secilin sektor të pushtetit, i cili në fundosje e sipër, do t’i marrë të gjithë me vete në rrënim”, ka shkruar Halimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisw Demokratike Sali Berisha ka folur për mediet…