Halimi kujton Anton Çettën: Kosova si kurrë më parë ka nevojë për personalitete të tilla
Anëtarja e kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, ka kujtuar Anton Çettën, intelektualin që thotë se krijoi një model të ri të politikanit, i cili nëpërmjet kauzës së pajtimit të gjaqeve mëtoi të krijoi një rend të ri shoqëror dhe besimit në vlerat e demokracisë, që para se të jetë politik duhet të jetë shoqëror, raporton Gazeta Blic.
Ajo përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në 104-vjetorin e lindjes së Anton Çettës, si kurrë më parë, skena politike ka nevojë për personalitete të tilla.
Postimi i saj i plotë:
Politika pa një synim emancipues orientues të shoqërisë është boshe dhe nuk e arsyeton veten vetëm në përpjekjen e udhëheqjes të vendit.
Anton Çetta është intelektuali, i cili krijoi një model të ri të politikanit, i cili nëpërmjet kauzës së pajtimit të gjaqeve mëtoi të krijoi një rend të ri shoqëror dhe besimit në vlerat e demokracisë, që para se të jetë politik duhet të jetë shoqëror.
Pajtimi i gjaqeve nuk ishte vetëm një lëvizje humanitare dhe çliruese nga normat arkaike të organizimit shoqëror, por transformimit të mendësisë së organizimit drejt konsolidimit të besimit në institucionet e shtetit.
Në zgjedhjet e para paralele të organizuara më 1992, Anton Çetta zgjedhet deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sot, në 104-vjetorin e lindjes së Anton Çettës, si kurrë më parë, skena politike ka nevojë për personalitete të tilla, që politika t’i shërbejë jetësimit të vlerave humane dhe emancipuese, në të kundërtën progresi do të jetë limituar brenda një përditshmërie polarizuese dhe asgjë tjetër.