Halimi, Kurtit: Diplomacia kosovare është në qorrsokak
Zëdhënësja politike e LDK-së, Sibel Halimi, i ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili sot ka thënë se Qeveria Hoti e kishte vendosur moratorium për aplikim në organizata ndërkombëtare.
Ajo, me anë të një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka deklaruar se Kurti në vend që të lëvizë në kahun e duhur për t’ia hequr sanksionet vendit, ai shfaqet me krekosje.
“Është kundër logjikës të lavdërohesh për suksese në diplomaci, në një kohë kur Kosova është nën masa shtrënguese, pikërisht nga aleatët e saj. E kryeministri Kurti, në vend se të lëvizë në kahun e duhur për t’ia hequr sanksionet që i prekin drejtpërdrejt qytetarët kosovarë, ai shfaqet me krekosje!”
“Në dy vite e gjysmë mandat, nuk patëm asnjë njohje, asnjë anëtarësim në organizata ndërkombëtare. E ta cilësosh aplikimin për sukses është absurditet. Nëse i kujtojmë gafat e panumërta të zëvendëskryeministres Gërvalla në deklaratat e saj të pamatura dhe të dëmshme për vendin, atëherë mund të konkludojmë se diplomacia kosovare është në qorrsokak!”, ka thënë Halimi.