Halimi: Ndryshimi në kulturë dhe art po vjen
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka mbajtur mbrëmë në Prishtinë një takim me anëtarë të partisë dhe struktura të saj. E pranishme në takim ishte drejtoresha e Drejtorisë së Kulturës në komunën e Prishtinës, sociologia dhe poetja Sibel Halimi. Ajo në llogarinë e vet në “Facebook” ka shpalosur disa hollësi nga programi i Lidhjes Demokratike për kulturën.
“Nga Prishtina në gjithë Kosovën, ndryshimi po vjen në kulturë dhe art me kryeministër Lumir Abdixhikun.
Plani ynë synon zhvillimin dhe promovimin e kulturës dhe artit në nivel nacional dhe ndërkombëtar.
Në fokusin e LDK-së do të jenë prioritet investimet kapitale kulturore, pavarësimi i institucioneve kulturore, fuqizimi e përkrahja financiare e skenës së pavarur dhe artistëve që merren me art dhe kulturë.
Derisa edukimi i hershëm në sistemin parauniversitar, promovimi dhe ndërkombëtarizimi i kulturës dhe artit nëpërmjet diplomacisë kulturore do të jenë pjesë përbërëse e fokusimit të programit për kulturë.
Disa nga projektet dhe iniciativat:
– Ndërtimi i Teatrit të Operës dhe Baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.
– Ndërtimi i Teatrit të Ri Kombëtar të Kosovës.
– Ndërtimi i Muzeut Bashkëkohor.
– Themelimi dhe ndërtimi i Muzeut të Paqes dhe Rezistencës.
– Adoptimi i 10 Qendrave Multifunksionale në 10 qytete të Kosovës.
– Themelimi i Qendrës së Librit.
– Decentralizimi dhe Pavarësimi i Institucioneve Kulturore në Kosovë.
– Mbështetja e artit të pavarur.
– Edukimi i hershëm përmes artit dhe kulturës”, ka njoftuar Halimi.