Halimi në Ditën e Çlirimit ndan poezi për të mbijetuarat e dhunës seksuale
Anëtarja e kryesisë së LDK-së, njëherësh poete, Sibel Halimi, në Ditën e Çlirimit të Kosovës, u ka kushtuar poezi, të mbijetuarave të dhunës seksuale.
Ajo, ka ripostuar në facebook, poezinë e quajtur “Copë”, pasi sipas saj, edhe pas 23 vjetësh, gratë që janë dhunuar seksualisht gjatë luftës, ende përballen me vështirësitë e mbijetesës dhe barrën e heshtjes.
“Ripostim me shkas. Ditë reflektimi e çlirimi për gratë e mbijetuara të dhunës seksuale të cilat edhe sot, pas 23 viteve ballafaqohen me vështirësitë e mbijetesës dhe barrën e heshtjes”, ka shkruar Halimi në facebook.
Më poshtë e gjeni poezinë e Halimit, kushtuar të mbijetuarave të dhunës seksuale:
Copë
Me mijëra fustana shtri në fushë jeshile
Sytë t’i marrin
N’këtë fushë lodrue s’kemi
E jona kurrë s’asht kenë
Bojnat e fustanave pikturë jetën na e banë
Të mitë janë tetanë
Fatin e secilit unë e kam pasë
E zeza lindjen ma kujton
Mallkimin që bani edhe trajt’ me qa
Nji fustan i bardhë me nji kordele t’ndame n’dysh n’cep gjini, trishtim
Ah si e mbaj mend këtë ngjyrë, kur bardhësinë ma pshtetën për shpine
E shtrime përtoke në shpinë ku gjithnji derë e huej m’thanë
E huej mos kjofsha kenë
Shumë fustana po i shoh
Duhmë vuejtje si temjan
Të varun në vig që s’kputet kurrë
Se fati i tyne asht tanë kohën n’luhajë
Fustan
I gjatë, i shkurtë as mini as korset, mortajë
Krejt gratë çue n’kamë ka nji fustan me lanë në fushën e virgjënisë
Me vjerrë në vigun e heshtjes
Sepse ato të paprishuna kanë metë
Virgjëninë – tapi për një jetë të tanë
Edhe unë nji po e la
Nji pjesë timen vjerrun
N’përvuejtni
Fustanin e kuq t’dashnisë teme t’parë
E dhunueme po, virgjëneshë përjetësisht!
Nga libri me poezi “Me ekzistu është vetë kuptimi”.