Haliti: E inkuadroj Dukagjinin në Superligë pastaj pensionohem

22 janar 2019 | 21:38

Fitim Haliti sot mbush 37 vjet, por nuk e ka ndërmend të pensionohet para se ta inkuadrojë Dukagjinin në Superligë.

Futbollisti Fitim Haliti ka një mision të madh para vetës: inkuadrimin e skuadrës së Dukagjinit në IPKO Superligën e Kosovës në futboll, pastaj pensionimin nga futbolli. Sulmuesi legjendar i skuadrës nga Klina që mbush sot (e martë) 37 vjet ka thënë të hënën për “Epokën e re” se inkuadrimi i skuadrës së Dukagjinit në rangun më të lartë është shumë i sigurt për faktin se ka një skuadër shumë cilësore.

“Jemi duke punuar maksimalisht për një qëllim të përbashkët, që Dukagjinin ta inkuadrojmë në Superligë. Po mendoj të jam pjesë e këtij suksesi dhe më pas të pensionohem nga futbolli aktiv. Do të isha i lumtur po të arrija këtë synim, pasi të gjithë futbollistët kanë një ëndërr të tillë para përfundimit të karrierës”, ka thënë Haliti.

Në sezonin vjeshtor skuadra e Dukagjinit ka dalë e treta me 33 pikë, pesë pikë më pak se skuadra lidere në Ligën e Parë, Vushtrria. Haliti nuk është shumë i kënaqur me rezultatet e arritura, por është optimist se pranvera do të jetë më e suksesshme për Klubin nga Rrafshi i Dukagjinit. “Të them drejtën nuk jam i kënaqur me pozitën e as me pikët që kemi grumbulluar gjatë vjeshtës. Kemi pasur potencial për rezultate më të mira. Besoj se në pranverë do të jemi më të fortë dhe do të jemi më të sigurt drejt rrugëtimit për inkuadrim në elitë”, ka shtuar ai.

I pyetur se cilat skuadra janë konkurrentet kryesore në garë për titull, Haliti ka përmendur vetëm Vëllaznimin dhe Vushtrrinë, kurse ish-skuadrën e vet, Besën nga Peja, e ka përjashtuar nga kjo garë. “Në garë jemi ne, Vëllaznimi dhe Vushtrria. Mos ta harrojmë edhe Vitinë që është afër me pikë. Ndërsa skuadra e Besës po ka probleme dhe më vjen shumë keq që ka ardhur në këtë gjendje, pasi kam luajtur dhe kaluar shumë mirë në këtë klub”, ka shtuar ai.

Për stabilitetin e Dukagjinit në këtë kampionat meritor është edhe drejtori i klubit, Fabian Veselaj, i cili është duke u qëndruar afër futbollistëve në çdo aspekt. “Drejtori i klubit ka merita për rezultatet tona. Është duke na qëndruar afër dhe çështja financiare është shumë e rëndësishme kur synohet një sukses. Besoj se në fund do të shpërblehet mundi i drejtorit dhe të gjithëve”, ka deklaruar Haliti, i cili ka bërë karrierë edhe në futbollin e Shqipërisë.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe TreguT (KOSTT), shpreh gatishmërinë për…