Haliti e Lekaj flasin për projektet e përbashkëta infrastrukturore
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, është pritur të enjten në takim nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, me të cilin ka biseduar për projektet e përbashkëta infrastrukturore, në veçanti rreth kyçjes së qytetarëve të kësaj komune në autostradën Prishtinë – Shkup.
Haliti ka bërë me dije se kanë biseduar edhe për projektet e tjera infrastrukturore që lidhin Vitinë me komunat e tjera, ndër to edhe për rrugën e Kërpliqit. “Jam takuar me ministrin Lekaj dhe gjatë këtij takimi kemi bashkëbiseduar për projektet infrastrukturore që janë në interes të veçantë për qytetarët e Vitisë, veçanërisht për kyçjen në autostradën Prishtinë – Shkup.
Gjithashtu, kemi biseduar edhe për shumë projekte të tjera të cilat do të mundësojnë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave”, ka thënë Haliti. Ai ka deklaruar se Vitia do t’i përmbushë të gjitha obligimet që dalin nga marrëveshjet e përbashkëta me Ministrinë e Infrastrukturës.