Haliti e quan gënjeshtër deklaratën e Anton Qunit për marrjen e 8 milionë markave (Video)
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka reaguar ndaj deklaratës së deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, i cili ka akuzuar Halitin se ka marrë 8 milionë marka nga ish-ministri i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.
Haliti gjatë seancës së sotme të Kuvendit nga karrigia e kryetarit të Kuvendit, e ka quajtur gënjeshtër deklaratën e Qunit.
“Ju keni gënjyer në Kuvend, edhe të gjithë shokët tu”, ka thënë Haliti.
Ai i ka thënë Qunit se nëse mund ta vërtetojë se i ka marrë këto para, do të jap dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit qysh tani.
Po ashtu Haliti i ka thënë deputetit Qunit se nuk ka informata lidhur me zhvillimet e asaj kohe.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka thënë se do t’i sigurojë faktet lidhur me deklaratën për marrjen e 8 milionë markave nga Xhavit Haliti.
Anton Quni, mbrëmë në emisionin “Pressing” të “T7”, ka thënë se Haliti gjatë verës së vitit 1998, kishte marrë 8 milionë marka nga Qeveria e Bujar Bukoshit, saktësisht nga Ministri i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.
/Epoka e re/