Haliti flet në Sarajevë për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë
Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga nënkryetari Xhavit Haliti, në përbërje të të cilit janë edhe Abdullah Hoti, Glauk Konjufca dhe Ismail Kurteshi, mori pjesë sot në punimet e Sesionit të Gjashtë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (AP E SEECP/PBEJL-së), me temën “Lidhje më e mirë për një jetë më të mirë – si të arrihet një ndryshim i madh në procesin e bashkëpunimit rajonal”, që po mbahet në Sarajevë të Bosnjë e Hercegovinës.
Siç njofton Kuvendi i Kosovës, në emër të kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili njëherësh është edhe Kryesues i Delegacionit të Kuvendit në këtë Asamble, delegacionin e udhëhoqi nënkryetari Xhavit Haliti.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë sesion, nënkryetari Xhavit Haliti theksoi domosdoshmërinë e vendosjes dhe thellimit të bashkëpunimit në mes të vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së, jo vetëm në nivel rajonal, por edhe në nivel bilateral.
“Duke venë në pah pengesat e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave, si dhe masave të vendosura nga Bonjë e Hercegovina për qytetarët e Kosovës, mesazhet e urrejtjes së ministrit serb Daçiq dhe komentet raciste të kryeministres Bërnabiq, si dhe rëndësinë e arritjes së marrëveshjes përfundimtare, gjithëpërfshirëse, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për një stabilitet afatgjatë politik e ekonomik dhe parakusht që të dy shoqëritë të avancojnë drejt Bashkimit Evropian, nënkryetari Haliti ritheksoi rëndësinë e këtij procesi dhe zotimin e shtetit të Kosovës për dialog, arritjen e marrëveshjes dhe njohjen reciproke”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Sa i përket marrjes nga ana e Kosovës të kryesimit të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, nga Bosnjë e Hercegovina, nga korriku 2019/2020, nënkryetari Haliti, theksoi se “Ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin rajonal dhe SEECP është një platformë e shkëlqyeshme për të përmirësuar gradualisht mënyrën e jetesës së qytetarëve tanë. Ne duhet të përkrahim edhe nisma të reja, organizata joqeveritare, shoqërinë civile në përgjithësi dhe të gjithë akterët tjerë, që të bashkëpunojnë më shumë me njëri-tjetrin. Por fillimisht, neve na takon të udhëheqim këtë proces. Kosova është e gatshme të marrë përgjegjësinë e vet dhe të marrë veprimet e duhura. Ne jemi krenarë që kemi arritur të jemi pjesë shumë më rëndësi e rajonit. Ne sot jemi jo vetëm konsumues të sigurisë, por edhe eksportues të saj, ku përmes FSK-së, kemi kontribuar në misione të ndryshme të NATO-s. Por këto janë të ditura dhe nuk do të thellohem shumë”.
Sesioni Plenar u parapri nga takimet e komisioneve të përgjithsme dhe Komisionit të përhershëm qendror, të cilat u mbajtën dje në Parlamentin e Bosnjë e Hercegovinës.
Gjatë takimeve të punës, delegacioni i Kuvendit të Kosovës u përfaqësua nga deputetët anëtarë: Glauk Konjufca, Komisioni i përgjithshëm për drejtësi, çështje të brendshme dhe bashkëpunim në fushën e sigurisë, Avdullah Hoti, Komisioni i përgjithshëm për ekonomi, infrastrukturë dhe energji dhe Ismajl Kurteshi, Komisioni i përgjithshëm për zhvillim social, arsim, kërkim dhe shkencë.
Dje në takimet e komisioneve punuese, u vendos që Kosova të udhëheq edhe Komisionin e Përgjithshëm për Ekonomi, Infrastrukturë dhe Energji, në përiudhën 2019-2020, ndërsa Bullgaria do të udhëheq me Komisionin e Përgjithshëm për Zhvillim Social, Arsim, kërkime shkencore dhe shkencë.