Haliti kërkon nga Sveçla të tregojë se nga kush e si është kërcënuar presidentja Osmani
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti është shprehur se është i shqetësuar me pretendimet për kërcënim ndaj presidentes Vjosa Osmani.
Për këtë, ai ka kërkuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që të raportojë para deputetëve.
“Duhet ta dimë se është arrestuar dikush për kërcënim. Shqetësimi më i madh sot për sot është ta dimë se nga kush është kërcënuar presidentja”.
“A janë marrë masa ndaj personave/personit, duhet ta dimë a është kërcënuar me telefon, SMS, gojarisht dhe nga dikush. Ky është problemi që do të doja ta diskutoja sot”, ka thënë Haliti në seancën ku po flitet për policinë.”
“Do të doja që ministri i Brendshëm të raportonte për këtë, sepse opinioni ka ngelur në interpretime të ndryshme pa pasur informacion zyrtar”, ka thënë Haliti në Kuvendin e Kosovës.
Për kërcënim ndaj saj ka folur vetë Osmani në konferencën ku ka treguar se nuk do ta dekretojë Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit.