Haliti: Kosova duhet ta ketë vëmendjen tek mesazhi i Escobarit për asociacionin
Xhavit Haliti, deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka folur për vizitën e të deleguarve nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), Miroslav Lajçak dhe Gabriel Escobar.
Lidhur me takimet e tyre me krerët e partive politike të Kosovës, Haliti ka theksuar se në raste të tilla nuk bëhen publike ajo çfarë bisedohet, por për publikun servohen të dhëna përmes komunikatave aq sa është e nevojshme të dihet.
“Nuk është hera e parë që takohen liderë të partive politike në Ambasadën e ShBA-së, është mëse normale të ketë takime të tilla. Besoj se më mirë është të ketë takime të këtij lloji siç është tani, të gjitha partitë opozitare të jenë bashkë, sepse të gjithëve do t’u drejtohet me një fjalë”, tha deputeti Haliti për “RTK”-në.
Më tutje, ai ka thënë se ngjashëm është praktikuar edhe nga ish-ambasadorja Kajdanov, etj.
Haliti ka theksuar se duhet pasur vëmendjen tek mesazhi që Escobarit ka drejtuar kundrejt institucioneve tona lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, i cili duhet të krijohet sipas Kushtetutës së Kosovës.