Haliti: Kurti do t’i humbë zgjedhjet, populli është ngopur me gënjeshtrat e tij
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti është shprehur i bindur se kryeministri Albin Kurti do t’i humb zgjedhjet e ardhshme.
Ai ka thënë se populli i Kosovës është ngopur me gënjeshtrat e kryeministrit Kurti.
“Besoj që populli është ngopur nga gënjeshtrat e qeverisë e politikat që Kosovën e kanë lënë në vend numërim – 0, pa integrime, pa zhvillim ekonomik dhe tani e një vit me sanksione nga BE. E sigurt që Albini do t’i humbë zgjedhjet kurdo që mbahen”, është shprehur Haliti për gazetën “Blic”.
Ai ka kritikuar edhe partitë opozitare për mosunifikim.
“Siç e dimë të gjithë, fronti opozitar akoma s’është i bashkuar, prandaj edhe Albini po vazhdon me lojë fjalësh. Nëse duam fitore duhet aksion demokratik duke i përdorur të gjitha mjetet e veprimit që lejon ligji e praktikat civile të veprimit”, ka vlerësuar Haliti.