Haliti: Mposhtim Feronikelin dhe zbusim diferencën
Derbi më i madh i këtij edicioni në Superligë zhvillohet sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, kurse përballë do të jenë skuadra e parë në tabelë, Feronikeli dhe e dyta, Prishtina. Kryeqytetasit synim të vetëm kanë fitoren në mënyrë që ta zbusin diferencën në tri pikë, kurse “Nikli” do ta pranonte me dëshirë edhe barazimin, pasi diferenca e pikëve do të mbetej e pandryshuar. Ndeshja fillon në orën 17:00 dhe drejtohet nga gjyqtari Dardan Çaka.
Mbrojtësi Ahmet Haliti është shumë optimist se skuadra e Prishtinës do ta mposhtë Feronikelin në derbin e javës së 21-të në IPKO Superligë dhe në këtë mënyrë do ta zbusë diferencën e pikëve. Në fakt, Prishtina sot në stadiumin “Fadil Vokrri” e pret Feronikelin nga ora 17:00.
“E njoh shumë mirë skuadrën e Feronikelit. Kam luajtur dy vjet aty. Ka shumë cilësi dhe është në formë të mirë. Por neve nuk ka intereson fare ekipi kundërshtar. Ne duhet ta shohim vetëm veten. Gabimet që i kemi bërë në ndeshjet e fundit duhet t’i përmirësojmë dhe normalisht në ndeshje të hyjmë vetëm për fitore për ta zbutur distancën që e kemi ndaj tyre. Megjithatë, duhet t’i qasemi me mjaft qetësi ndeshjes, duke mos hyrë me eufori dhe shpresoj se me një lojë të mirë t’i arrijmë tre pikë që janë shumë të nevojshme për ne në këtë kohë”, ka thënë Haliti për faqen zyrtare të skuadrës kryeqytetase.
Për ndeshjen ndaj Prishtinës foli edhe kapiteni i Feronikelit, Lapidar Lladrovci, i cili për “Epokën e re” ka thënë se derbi që zhvillohet sot do të jetë ndër më interesantit në këtë kampionat. Lidhur me synimet e skuadrës nga Drenasi në këtë përballje, Lladrovci ka konfirmuar se edhe barazimi do të ishte rezultat i pranueshëm.
“Ndeshja me Prishtinën është një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit për ne ngaqë luajmë me rivalin e drejtpërdrejtë për titull. Një fitore eventuale do të na shkëpuste me tetë pikë në krye të tabelës, ndërsa edhe barazimi nuk do të ishte rezultat i keq, pasi do të na mbante pesë pikë para. Megjithatë, ka edhe shumë ndeshje për t’u luajtur, andaj edhe kjo ndeshje ka rëndësinë si ajo e kaluara ndaj KEK-ut, pra luhet për tri pikë. Do të jetë një ndeshje e bukur pasi kushtet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ janë fantastike, ku terreni do të na lejojë të tregojmë gjithë potencialin tonë. Besoj se të gjithë tifozët do të kënaqen me lojën që do të tregojmë. Jemi shumë të motivuar dhe mezi e presim fillimin e ndeshjes”, ka deklaruar Lladrovci.
FC Prishtina ka njoftuar se interesimi për këtë ndeshje është më i madhi ndonjëherë për ndeshjet kampionate, pasi mbi 30 gazetarë do ta përcjellin nga afër derbin e sezonit në elitë.
IPKO Superliga
Ballkani – Drita 1-2
|
Sot takohen:
13:30 Trepça ’89 – Liria
13:30 Drenica – Flamurtari
13:30 Gjilani – Llapi
13:30 Ferizaj – KEK-u
17:00 Prishtina – Feronikeli
Tabela
- Feronikeli 20 48 pikë
- Prishtina 20 43
- Llapi 20 41
- Drita 21 32
- Gjilani 20 29
- Trepça ’89 20 28
- Drenica 20 27
- Ballkani 21 27
- Flamurtari 20 26
- Ferizaj 20 21
- Liria 20 20
- KEK-u 20 1
/Veton ZYMBERI/