Haliti: Mua s’më duhen deklarata, por furnizim

19 mars 2020 | 11:00

Vitia, pas përhapjes së koronavirusit e regjistrimit të rasteve të para në këtë komunë, po ballafaqohet me mungesë të maskave, dorëzave dhe të ushqimeve. Në këtë komunë janë shtatë persona të infektuar nga kjo pandemi, e cila deri tash ka prekur gjithsej 20 persona në gjithë Kosovën.

Kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, deklaroi se nuk ka ndonjë rast të ri i cili dyshohet se është i prekur nga Covid 19. Por, ai tha se kanë mungesë të furnizimit me ushqim për familje me gjendje me të rëndë sociale. Haliti theksoi se masat që i kanë ndërmarrë po i respektojnë banorët e Vitisë.

“Brenda 24 orëve ka qenë qetë, nuk ka asnjë rast. Dashtë Zoti mos të përsëritet asnjë. Për pajisje mjekësore jemi keq, për pajisje mbrojtëse dhe për ushqim për shkak se jemi në karantinë qe një javë. Përndryshe, situata është e qetë. Masat i kemi ndërmarrë dhe janë duke i respektuar qytetarët sidomos ata që kanë pasur kontakte me të prekurit”, thotë Haliti për KP.

Kreu i komunës së Vitisë theksoi se ka mungesë të maskave, dorëzave, përkundër që vazhdimisht kanë kërkuar ndihmë nga institucionet qendrore. “Rroba, maska, dorëza, ushqime, pajisje mjekësore dhe artikuj ushqimorë për shkak se ka një javë që qytetarët janë të pafurnizuar. Po mendoj për komponentët socialë, jo për ata që kanë të mira materiale dhe kanë mundësi të furnizohen. Vazhdimisht jemi duke kërkuar, jemi vonuar. Neve na nevojitet vërtet një furnizim”, tha ai.

Ai shprehet se kësaj komune nuk i nevojitet vullneti vetëm përmes deklaratave, derisa asgjë nuk po ndërmerret për një furnizim më të mirë, sidomos për komunat që janë më të prekura.

“Mua nuk po më duhet vullnet deklarativ. Po më duhet furnizim. Asgjë më shumë e asgjë më pak. Ministri dje më ka thirrur e më kanë thënë se do të furnizojmë sot pas dite, ndërsa zyrtarja më thërret pas një ore më thotë gjatë javës. Nuk e di a janë të koordinuar ata, por me rëndësi është që neve të na vijnë ndihma e që ta mbajmë situatën në kontroll”, theksoi Haliti.

Komuna e Vitisë është komuna e parë e prekur me pandeminë Covid 19. Një banor 77 vjeç nga fshati Stubëll, i ardhur nga Italia, ishte i prekur me këtë sëmundje, prej të cilit pastaj janë infektuar edhe familjarët e tij.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Karin Brulliard Merrni tigrin e egër. Ai shoqërohet me…