Haliti nuk e përjashton koalicionin PDK-Vetëvendosje
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thënë se nuk e përjashton koalicionin me Vetëvendosjen pas zgjedhjeve.
Në një intervistë për “Periskopin”, Haliti ka thënë se në të ardhmen partitë politike nuk duhet të kenë vija të kuqe sepse kjo sipas tij, do ta mundësonte një qeveri që e çon deri në fund mandatin.
Haliti nuk e ka përjashtuar një koalicion PDK-Vetëvendosje derisa duke komentuar sondazhet e kësaj të fundit, ka thënë se çdo parti mund të bëjë sondazhe, përfshirë edhe PDK-në, që e nxjerr veten edhe me 75 për qind.
“Për mua qeveri stabile dhe me interes për Kosovën, do të ishte një koalicion i madh, i fuqishëm dhe i përgjegjshëm që ndërton politika shtetërore, dhe jo politika të lagjeve, jo politika të partive, dhe jo politika të individit, kjo është e domosdoshme tjerat s’kanë aspak rëndësi. Unë nuk e besoj që mund të krijohet koalicion parazgjedhor në mes të LV-PDK, por unë besoj në përgjegjshmërinë e njerëzve që e duan vendin dhe duan ta çojnë përpara dhe jo ta stagnojnë kështu siç ka ndodhur këto 5-6 vitet e fundit, por t’i japin një shtytje rregullimit të shtetit. Kjo do të thotë të mos ketë askush vija të kuqe por të kemi dallime në programe, dhe unifikimi në programe, bërja e politikës shtetërore për qeverisje është shumë e rëndësishme”, ka thënë ai.