Haliti: PDK-ja do të jetë fituese e zgjedhjeve, LV-ja s’i fiton as 200 mijë vota
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të jetë fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, ka thënë anëtari i kryesisë së kësaj partie, Xhavit Haliti.
Sipas tij, fushata elektorale e PDK-së po mirëpritet mirë nga qytetarët, derisa nënvizon se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë më në qeveri.
Ai në një intervistë për “Kosovapress”, ka folur edhe për raportet me ShBA-në nën administratën Trump, dialogun Kosovë-Serbi si dhe dhënien e dëshmisë në Bruksel në lidhje me vrasjen e veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Enver Hadri.
“Interesimi për të votuar Partinë Demokratike të Kosovës është shumë më i madh sesa në zgjedhjet e kaluara… Është një fushatë e jashtëzakonshme. Një fushatë të cilën realisht nuk e kam pritur që do të pritet kaq mirë nga qytetarët. Rezultatet do të jenë me diferenca shumë të ngushta mes tri partive të mëdha dhe po besoj se PDK-ja do të jetë e para”, ka thënë ai.
Sipas Halitit, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje nuk mund t’i merr më shumë sesa 200 mijë vota, përkundër pretendimeve të tyre se mund të arrijnë 500 mijë sosh.
“Nëse ai arrin tek 200 mijë është mirë, por unë nuk besoj se ai arrin edhe tek 200 mijë. Afër pesë vjet sa ka qenë në pushtet, të arriturat e tij janë larg nga premtimet elektorale, e jo më në krahasim me të kaluarën. Pasi për një gjë të tillë nuk krahasohet me investimet publike në infrastrukturë, shkolla, zhvillim që kanë bërë qeveritë e kaluara në krye me PDK-në. Premtimet e tij kanë qenë shumë më të mëdha dhe e vërteta është se ky ka rënë në moçalin e bretkosave…Po besoj shumë se Albin Kurti nuk do të jetë kryeministër së pari dhe së dyti Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë në qeveri”, ka thënë Haliti.