Haliti: Për trofe u riktheva te Prishtina

29 maj 2018 | 12:11

Ahmet Haliti e ka lënë Feronikelin për t’iu bashkuar Prishtinës. Ai ka arritur marrëveshje njëvjeçare me skuadrën kryeqytetase, kurse me këtë skuadër ka synime shumë të mëdha.

FC Prishtina vetëm një ditë pasi e fitoi Kupën e Kosovës në futboll ka arritur të realizojë një transferim të madh. Fjala është për mbrojtësin Ahmet Haliti, i cili edicionin e fundit ishte pjesë e Feronikelit. Lajmin për rikthim te Prishtina e ka konfirmuar të hënën për “Epokën e re” vetë mbrojtësi që në të kaluarën e ka djersitur edhe fanellën e Hysit.

Haliti është shprehur i kënaqur me këtë lëvizje të bërë, duke premtuar maksimumin në fanellën “bardhekaltër”. “Jam i lumtur që jam rikthyer sërish te Prishtina, e cila është një skuadër që gjithmonë lufton për trofe. Premtoj maksimumin dhe dua të fitoj sa më shumë trofe që është e mundur. Për t’i thënë po Prishtinës, duke e parë organizimin e klubit, kushtet, ambientin që e njoh, por edhe për mundësinë që të luajë në Evropë, nuk ishte vështirë”, ka thënë Haliti.

Mbrojtësi që pa ndonjë problem të madh e luan edhe pozitën e mesfushorit shkatërrues, ka folur edhe për konkurrencën në skuadrën kryeqytetase. Në këtë klub janë edhe mbrojtësit me përvojë të madhe Armend Dallku dhe Debatik Curri, por kjo duket se nuk e shqetëson aq shumë Halitin. “Mendoj se në një ekip ku luftohet për titullin e kampionit, por edhe për Kupë, konkurrenca duhet të jetë e tillë dhe ajo vetëm sa të ngrehë si futbollist”, ka shtuar ai, raporton “Epoka e re”.

Në fund Haliti pati edhe një falënderim për skuadrën e Feronikeiit, ku luajti për dy vjet radhazi. “Falënderoj shumë kryesinë e vjetër të Feronikelit, e cila ishte më meritorja që u bëra pjesë e ‘Niklit’, ndërsa kryesisë së re, në veçanti kryetarit, i dëshiroj shumë suksese në vazhdim dhe e falënderoj për korrektësinë. Falënderoj shumë tifozët e skuadrës dhe gjithë qytetarët e Drenasit për përkrahjen e dhënë”, ka deklaruar ai.

Duhet cekur se Prishtina edicionin 2017/2018 e mbylli në vendin e dytë në kampionat, kurse në Kupë triumfoi falë fitores ndaj Vëllaznimit në penallti.

(Veton ZYMBERI)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Teksa shumë prej nesh janë të vetëdijshëm mbi përfitimet nga…