Haliti: Po mundohemi t’i zgjedhim problemet që i kemi për detyrë
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se po punojmë për shumë çështje që i kanë për detyre me qëllim që t’i zgjedhin problemet e vendit.
Sipas tij, në rast se bie qeveria atëherë duhet të shikohen mundësitë për zgjedhje dhe koalicione të reja.
“Ne i kemi kry zgjedhjet, për neve nuk ka nevojë të bëhen zgjedhje. Ne nuk po punojmë për zgjedhje të reja, ne po mundohemi t’i zgjedhim problemet që i kemi detyrim për Kosovën”, ka thënë ai në një intervistë për “Indeksonline”.
Haliti thotë se në rast se bie qeveria, atëherë do të shikohen mundësitë për bashkëpunime të reja sa u përket koalicioneve.
“Nëse e rrëzojnë qeverinë atëherë duhet me shiku a po shkojmë në zgjedhje të reja apo po krijojmë një koalicion të ri, i cili do të vazhdojë qeverisjen, i cili do të ndryshojë këto koalicionet pas votimit për rrëzimin e qeverisë, edhe kjo është një mundësi shtesë”, ka theksuar Haliti gjatë bisedës.
Megjithatë, Haliti konsideron se bazuar në rrethanat aktuale opozita nuk mund ta rrëzojë qeverinë.
“Unë mendoj që në rrethanat aktuale në bazë të asaj sa deputetë ka opozita e sa pozita, opozita nuk mund ta rrëzojë qeverinë”, ka shtuar tutje ai.
Vlen të përmendim faktin se është Lidhja Demokratike e Kosovës ajo e cila ditë më parë ka paralajmëruar se shumë shpejt do të bëjë një mocion për rrëzimin e qeverisë, e ndërkohë që partitë tjera politike nuk është se kanë shprehur qëndrim zyrtar nëse do ta mbështesin ose jo.