Haliti: Prokuroria të hetojë rastet për keqpërdorime me statusin e veteranit të UÇK-së
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti, ka thënë se nuk është i implikuar në tregtinë me certifikata të veteranit të UÇK-së.
Ai i ka bërë thirrje prokurorisë që të hetojë pa përjashtim çdo rast që ndërlidhet me keqpërdorime rreth certifikatës së veteranit të UÇK-së.
“Dje (e mërkurë) disa media kanë raportuar sikur qenkam i implikuar në rastin e tregtisë me certifikata të veteranit të UÇK-së. Ky raportim nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën faktike. Personat që përfliten në këtë rast, për mua janë thjeshtë të panjohur. Për ta nuk kam dëgjuar asnjëherë më parë. Ftoj publikisht edhe prokurorinë që të deklarohet për këtë rast dhe të bëjë sqarimet e nevojshme. Duke e çmuar seriozitetin e çështjes, i bëjë thirrje prokurorisë që të hetojë pa përjashtim çdo rast që ndërlidhet me keqpërdorime rreth certifikatës së veteranit të UÇK-së”, ka shkruar Haliti në llogarinë e vet në “Facebook”.