Haliti: S’është e nevojshme pjesëmarrja e opozitës në dialog
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thënë se nuk është e nevojshme që patjetër opozita të jetë pjesë e delegacioneve në dialog me Serbinë.
Sipas tij, përgjegjësia kryesore duhet të adresohet tek ata që Kushtetuta u ka dhënë të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në dialog, pra tek Qeveria e vendit.
“Nuk do të thotë opozita me qenë pjesë e delegacioneve, do të thotë opozita me qenë e informuar, pjesë e debatit të brendshëm me qenë pjesë e debatit edhe me dyer të mbyllura pse jo kur ka nevojë, por përgjegjësia duhet me qenë e adresuar tek ata që u ka dhënë kushtetuta e Kosovës të drejtën me përfaqësuar”, ka thënë Haliti për “EO”.
Haliti ka theksuar se procesi i dialogut është i shumanshëm, por ai është shumë skeptik për arrijnë e një marrëveshje pa ndërhyrjen e BE-së dhe ShBA-së.
“Dialogu tani është i shumanshëm, është dialogu me BE-në dhe dialogu me Serbinë. Unë jam shumë skeptik që mund të arrihet ndonjë marrëveshje e shpejtë me Serbinë, pa e parë një shtytje të madhe të BE-së dhe ShBA-së, për të arritur në pikën ku duhet të përfundoj dialogu. Ata na kanë dhënë mesazhe vazhdimisht, ne jemi përpjekur me zgjidh problemin, ndoshta problemi për mua ka qenë i zgjidhur, mos me pas nevojë shumë me debatuar, por sidoqoftë ne duhet punojmë dhe Qeveria duhet të jetë e angazhuar për të bërë politikë shtetërore në raport me dialogun”, ka thënë Haliti.