Haliti: Shteti i Kosovës dhe shqiptarët janë përcaktuar të jenë gjithnjë përkrah NATO-s
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti, në përvjetorin e 70-të të themelit të Aleancës Atlantike të Veriut- NATO, ka thënë se Shteti i Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës janë përcaktuar të jenë gjithnjë përkrah saj.
“Kombi shqiptar, vitin 1999, kur NATO ndërhyri ushtarakisht për ta ndërprerë gjenocidin, që Serbia po e ushtronte kundër tyre në Kosovë, e konsideron si momentin kulminant, ndër më të fuqishmit, të lidhjes me NATO-n”, ka shkruar Haliti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë:
70 vite më parë, më 4 prill 1949, afër katër vite pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore u themelua në Washington të SHBA-ve Aleanca Atlantike e Veriut, NATO (North Atlantic Treaty Organization).
Paqja e qëndrueshme ndërkombëtare dhe zhvillimi demokratik, ky është angazhimi parësor i NATOs përgjatë këtyre 70-të viteve.
Kombi shqiptar, vitin 1999, kur NATO ndërhyri ushtarakisht për ta ndërprerë gjenocidin, që Serbia po e ushtronte kundër tyre në Kosovë, e konsideron si momentin kulminant, ndër më të fuqishmit, të lidhjes me NATO-n.
Tani, në rrethana krejtësisht të reja, Kosova e çmon shumë angazhimin e NATO-s përmes KFOR-it, në garantimin e paqes, sigurisë dhe paprekshmërisë së saj territoriale.
Shfrytëzoj rastin, që në këtë përvjetor jubilar, t’i uroj nga zemra drejtuesit e saj, vendet anëtare, dhe posaçërisht SHBA-të.
Bota ka nevojë edhe më tej për NATO-n.
Shteti i Kosovës dhe shqiptarët e Kosovës janë përcaktuar të jenë gjithnjë përkrah saj.