Haliti tregon arsyet pse PDK-ja duhet të jetë pjesë e qeverisë  

12 gusht 2020 | 16:47

Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti ka treguar se pse është për futjen e PDK-së në koalicionin aktual qeverisës.

Në profilin e tij në “Facebok”, ai ka shkruar se për t’u përballur me sfidat e shumta, Kosovës i duhet një koalicion i madh me politikanë e ekspertë të mirë dhe të përgjegjshëm.

Sipas tij, pandemia, dialogu me Serbinë, tërheqja e njohjeve të shtetit të Kosovës, dhe Gjykata Speciale, janë disa nga arsyet pse duhet të ndodh një koalicion i tillë.

Megjithatë, ai ka thënë se do t`i respektoj vendimet e organeve të partisë.

Postimi i plotë i Halitit:

Mendimi i lirë i individit është pjesë e rëndësishme e demokracisë. Në PDK askush s’e penalizon askënd për mendimin e shfaqur publikisht.

Si çdokund tjetër ku kërkohet dhe më jepet rasti të flas për probleme të caktuara të sferës politike, mendimi im është i hapur edhe në organet e PDK-së. Demokracia nuk është anarki, por është diktaturë e ligjit, rregullave, statutit, e Kushtetutës. PDK, pas debatit në organet e saja, të gjitha vendimet i merrë me konsensus ose me shumicën e votave, të cilat çdo herë i kam respektuar dhe do t’i respektoj edhe në të ardhmen.

Pyetja që shtrohet shpesh këto ditë, për sa i përket koalicionit qeverisës: të hyjë PDK-ja ose jo? Edhe në këtë rast unë e kam mendimin tim. Kosova është në udhëkryq të madh për shumë arsye.

Po i numëroj disa, pa e bërë kategorizim sa i përket rëndësisë së tyre:

– Pandemia COVID-19;

– Dialogu me Serbinë;

– Ndalimi i njohjeve të shtetit të Kosovës;

– Tërheqja e njohjeve të shtetit të Kosovës;

– Gjykata Speciale.

Shto këtu edhe ekonominë e dobët; arsimimin që lë për të dëshiruar; shëndetësinë; papunësinë; korrupsionin; nepotizmin; organet e sigurisë; integrimin në institucionet ndërkombëtare; aleancat strategjike me SHBA-në, BE-në, Britaninë e Madhe etj., politika e jashtme… që të mos i numëroj të gjitha me radhë.

 

Të gjitha këto çështje kërkojnë politikbërje të përgjegjshme shtetërore dhe jo individë apo koalicion të brishtë si ky që e kemi.

 

Për t’u përballur me të gjitha këto probleme duhet të kemi një koalicion të madh me politikanë e ekspertë të mirë e të përgjegjshëm.

Duke besuar në fuqinë e PDK-së, te ekspertët dhe te politikanët e saj, mendoj se duhet bashkuar (sipas një marrëveshjeje) së pari me LDK-në, e edhe me partitë tjera për të qeverisur me vendin, për t’u përballur me çështjet që duhet t’i zgjedhim. Prandaj edhe po kërkoj që të lihen interesat personale për interesin e vendit dhe të të gjithë qytetarëve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka mbajtur të…