Haliti tregon se cilat janë kushtet për LV-në, që PDK ta votojë presidentin
Deputeti i zgjedhur nga Partia Demokratike e Kosovës, Xhavit Haliti, nuk e ka pohuar e as mohuar nëse kjo parti do të qëndrojë në sallë dhe do t’ia sigurojë kuorumin Vjosa Osmanit për t’u zgjedhur presidente e Kosovës.
Në një prononcim për “Front Online”, Haliti ka deklaruar se mendon se është shumë që një parti e vetme t’i ketë të gjitha pushtetet.
“Ne akoma si parti nuk kemi një vendim konkret çfarë do të bëjmë në seancën kur zgjedhet presidenti ose kur do të mbahet ajo seancë, por unë personalisht mendoj që është shumë për të pasur në pushtet një parti e vetme për t’i pasur krejt pushtetet kryesore dhe mendoj që do të duhej me reflektuar si parti dhe si subjekt vet Vetëvendosja që të jep një mundësi shtesë për njërin nga institucionet që ta ketë opozita ose në variantin tjetër të ketë një figurë unifikuese jashtë partiake e cila do të ishte e pranueshme për të gjithë”, ka thënë Haliti.
I pyetur se e ka fjalën për pozitën e presidentit, Haliti nuk ka dhënë përgjigje konkrete, por ka shtuar se është e dëmshme për demokracinë që një parti t’i ketë tri pushtete.
“Tani unë mendoj se është shumë, një vendosje e kontrollit të tri pushteteve dhe mendoj që nuk i bën mirë demokracisë dhe procesit në të cilin po ecim, por edhe në koordinimin do të thosha të politikës shtetërore që duhet të bëhet edhe në raport me opozitën edhe pozitën”, është shprehur Haliti.
Por, çka nëse ju ofrohet pozita e kryetarit të Kuvendit?
Haliti edhe për këtë ka qenë i rezervuar në përgjigje.
“Unë nuk jam sot për t’u përgjigjur në këtë pyetje, nuk po kushtëzoj dhe nuk është interes i imi personal, por unë mendoj që praktikat në vendet demokratike janë të tilla përjashto shtete presidenciale që kanë një mënyrë tjetër që pak a shumë pushteti qendror duhet të jetë, s’kisha me thënë i kontrolluar sepse ata për ta kontrollua ka republika parlamentare, por të jetë i balancuar”, ka shtuar deputeti i PDK-së.
Seanca e Kuvendit për konstituimin e institucioneve të reja do të mbahet më 22 mars.