Haliti, Vetëvendosjes: Na keni lodhë me çkapjen e kapjen e shtetit
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, i ka rekomanduar Qeverisë Kurti që të mos merren me kapjen dhe çkapjen e shtetit, por të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
Haliti ka kërkuar nga Vetëvendosja që ta lërë lojën dhe fushatën elektorale që e bënin sa ishin opozitë.
“Ju si qeveri ose si parti e Vetëvendosje na keni lodhë me këtë çkapjen e kapjen. Zbatoni ligjet, zbatoni Kushtetutën, nuk keni nevojë me çkap asgjë. Kush e ka shkelë ligjin dihet çfarë masa duhet të merren ndaj tyre dhe mos e vazhdoni atë lojën ose fushatën elektorale të kohës së opozitës. Tani keni përgjegjësi tjera”, ka thënë Haliti në seancën e Kuvendit.
Haliti i ka sugjeruar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca që të gjitha marrëveshjet që janë bërë në emër të Kuvendit të Kosovës t’iu shpërndahen deputetëve.
Më tutje, Haliti ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rregullojnë urën që lidhë Rugovën e Hasit me rrugët e tjera.