Halitjaha: Adem Demaçin e kam pasur idol, pa lejen e tij nuk kemi dhënë intervista
Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka thënë se Adem Demaçin e ka pasur idol për arsyeje se e ka ditur që ai është duke e drejtuar luftën.
Halitjaha ka thënë se pa lejen e Demaçit as nuk janë takuar me gazetarët dhe as nuk kanë dhënë intervista, duke treguar edhe se si ka funksionuar zinxhiri komandues nga shtabi i përgjithshëm deri në nivel të zonave.
“Nga shtabi i përgjithshëm nuk kemi pas urdhra me shkrim. Nuk kemi pas protokolle në mes zonës dhe shtabit të përgjithshëm. Nga niveli i zonës deri në nivelin e skuadrës është punuar me rregullore sepse rregulloret i kanë nxjerrë zonat. Rregulloret i kemi bërë ne, unë dhe Halil Cadraku me Esniçin – Vesel Maliqin dhe kështu ka funksionuar zinxhiri komandues, po të kishte urdhra të cilat do qofshin ato nga shtabi i përgjithshëm sepse ne kemi pritë më shumë nga Adem Demaçi se për mua ka qenë idol Adem Demaçi se e kam ditë që ai është t’u e drejtu luftën. Ai ka thënë që të mos takohemi me gazetarë pa lejen e tij, nuk jemi taku nuk kemi dhënë intervista pa lejen e tij. Çdo gjë e kom pritë dhe e kemi pritë të gjithë nga ai. Përndryshe, nuk ka pas urdhër protokollues nga asnjëra palë. Zingjiri komandues në nivel zone deri në skuadër a shkuar shumë mirë”, ka thënë Sadik Halitjaha.
Përpara kësaj, prokurori James Pace i bëri pyetje dëshmitarit edhe nga libri që ky i fundit kishte shkruar për UÇK-në.
Dëshmitari Halitjaha ka thënë se lindja e UÇK-së është nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).
“Lindja e UÇK-së është nga LPK-ja dhe njerëzit fillestar janë të caktuar për një kryengritje të ardhshme”, ka thënë Sadik Halitjaha.