Halitjaha në Speciale: Ka pasur më shumë se një person me nofkën ‘Luli’ gjatë kohës së luftës
Gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, dëshmitari Sadik Halitjaha, ka thënë se persona që kanë pasur nofkën “Luli” kanë qenë më shumë së një.
Duke u përgjigjur në pyetjet e trupit gjykues përmes, gjyqtarit Christopher Barthe, Halitjaha, ka thënë se vetëm në zonën e tij kanë qenë më shumë se një person me nofkën “Luli”.
“Në zonën time ka pasur Luli një e më shumë. Plus ka pas edhe në zonat e tjera me pseudonimin Luli”, ka thënë Halitjaha
Dëshmitari ka thënë se një person me nofkë të tillë nuk e din që ka pasur në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Halitjaha ka thënë se persona me nofkën “Luli” ka pasur edhe në zonën e Pashtrikut, Zonën e Drenicës dhe në zonat e tjera.
“Të njëjtën nofkë ka pas edhe në zonë të Pashtrikut edhe në Drenicë me nofkën Luli. Nuk e di emrat se kush kanë qenë se nofkën e dinë, por emrat jo”, ka thënë dëshmitari Sadik Halitjaha.
Ndërsa në fillim të vitit 1999, dëshmitari ka thënë se nuk e ka parë asnjëherë Kadri Veselin për çfarë edhe ka konkluduar se ndodhej jashtë Kosovës.
“Gjatë kësaj kohe nuk e kam parë z. Veselin dhe kam ardhur në përfundim se ai ndodhej jashtë Kosovës”, ka thënë Halitjaha.
Për shtabin e përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmitari ka thënë se ka qenë në Kleçkë mirëpo ka lëvizur edhe në vende të tjera.
“Shtabi në Kleçkë, selia e shtabit se anëtarët nuk kanë qenë. Ka lëvizë gjithmonë. Ka qenë në Divjak, në Kleçkë se ka lëvizë shtabi në disa vende”, ka thënë ai.
Vlen të theksohet se gjyqtari Fergal Gaynor për shkak të problemeve me transportin është i pranishëm në seancë përmes video-lidhjes, e cila herë pas here është duke paraqitur probleme teknike. /Betimipërdrejtësi