Halleri në janar do të rikthehet në stërvitje
Një lajm i mirë vjen nga Gjermania. Kthimi i Sebastien Haller (1994) është më afër. Sipas “Bild”, sulmuesi 28-vjeçar nga Bregu i Fildishtë mund të rikthehet në stërvitje me Borussia Dortmundin në janar.
Kujtojmë se Haller, i marrë në verë nga Ajax për 31 milionë euro, ende nuk ka mundur të debutojë në një ndeshje zyrtare me ‘BVB’. Në ekzaminimet mjekësore parasezonale atij iu zbulua një tumor në testikujt dhe që nga ajo kohë ai ka luftuar për ta zhdukur kancerin.
“Shumë njerëz po më japin besimin për ta kapërcyer këtë. Dua të them të gjithëve që ndihem mirë”, ka deklaruar ai në një intervistë për “ESPN”. Hallerit iu desh t’i nënshtrohej një operacioni të dytë në fund të nëntorit për ta hequr plotësisht tumorin, i cili ishte i suksesshëm. “Një hap i ri në rikuperim. Operacioni i dytë shkoi mirë. Shumë faleminderit ekipit mjekësor! Mezi pres të vazhdoj pjesën tjetër”, ka shkruar ai në “Instagram”.