Hamide Magashi pritet të varroset nesër, familja e 35-vjeçares hap dyert për ngushëllime
Familja e Hamide Magashit, 35-vjeçares që është vrarë nga ish-bashkëshorti kanë hapur dyert për ngushëllime.
Familjarë, miq e të afërm janë parë teksa po hynë në oborrin e kësaj familje për të shprehur ngushëllime.
Ibush Syla, nip i familjes Marashi, ka thënë për “Ekonomia Online” se familja e të ndjerës është duke e përjetuar rëndë rastin.
Ai ka bërë me dije se varrimi i të ndjerës pritet të bëhet nesër (e premte) pasi janë duke pritur familjarë nga Gjermania.
“Jam nip i tyre. Rastin e kemi përjetuar rëndë. Më rëndë më nuk ka, dy vrasje janë bërë aty. Kufomën ende nuk e kanë sjellë. Janë duke i prit edhe disa familjarë nga Gjermani, dhe nesër besoj se do të varroset e ndjera”, ka thënë ai.
Hamide Magashi është vrarë të mërkurën para objektit të Klinikës Gjinekologjike nga, ish-bashkëshorti i saj, Sokol Halili.
E ndjera kishte urdhër për mbrojtje nga Gjykata Themelore e Ferizajt deri në mars të 2023. Policia ka njoftuar se i kanë kontrolluar disa lokacione, por që i njëjti akoma nuk është kapur.
Gjykata Themelore në Ferizaj ka lëshuar një komunikatë për media, pasi të mërkurën në oborrin e QKUK-së, Sokol Halili dyshohet se ka privuar nga jeta tani të ndjerën gruan shtatzënë Hamide Magashi, 35-vjeç.