Hamilton: Formula 1 nuk më bën të lumtur
Lewis Hamilton zbulon për herë të parë se bota e Formula 1 nuk e bën të lumtur. Piloti shtatë herë kampion i Botës, theksoi se i pëlqen të eksploroj edhe në fusha të ndryshme që nuk lidhen me sportin, si një mënyrë për të qenë gati të nisë një jetë të re pasi të “pensionohet”. Britaniku zbulon se ka mësuar shumë nga bisedat me legjenda të sportit si Michael Jordan, Serena Williams apo edhe Boris Becker.
“Kur u futa për herë të parë në botën e Formula 1 zbulova se gjithçka ishte zgjimi herët në mëngjes, stërvitja, vrap, vrap, vrap dhe vetëm vrap, asgjë më shumë. Nuk kishte vend për asgjë tjetër. Ajo që kuptova është se të punosh gjatë gjithë kohës nuk të sjell lumturi dhe duhet të gjesh një ekuilibër në jetë. Zbulova se në fakt isha mjaft i pakënaqur. Më mungonin shumë gjëra… sepse mendova; Jam në Formula 1, e kam realizuar ëndrrën dhe jam aty ku kam dashur gjithmonë të jem, jam në krye, po luftoj për kampionatin. Por, thjesht nuk ishte e këndshme, ka shumë më tepër jashtë kësaj bote dhe nuk kisha kohë për të eksploruar. Nëse shkoni në një zyrë çdo ditë dhe bëni të njëjtën gjë çdo ditë, thjesht do të humbisni kontaktin me botën e jashtme. Duhet të gjeni diçka tjetër që mund t’ju qetësojë dhe që mund t’ju mbajë mendjen në lëvizje”, ka thënë Hamilton.
“Bisedova me shumë atletë të jashtëzakonshëm, nga Boris Becker te Serena Williams, madje edhe me Michael Jordan. Duke folur me të mëdhenjtë që kam takuar gjatë rrugës, të cilët janë në pension, ose ishin rrugës për t’u tërhequr, kuptova se e kishin frikën për atë që do të ndodhte më pas. Shumë prej tyre më thanë se nuk kishin planifikuar asgjë për jetën pas sportit. Edhe unë kisha menduar gjithë jetën për Formula 1 dhe u ndjeva i përhumbur. Ishte një zbrazëti të cilën nuk e dija si mund ta mbushja. Kjo më bëri që të mendoja shumë. Dhe, kështu u vendosa në kërkim të gjërave të tjera që kisha pasion. Unë nuk besoj te fjala ‘nuk mundem’, unë mendoj se t’u bërë mjeshtër në diçka mjaftojnë 10.000 orë punë”, u shpreh Hamilton.