Hamilton: Më dukej sikur përjetova sërish makthin e Abu Dhabit
Lewis Hamilton u rendit i katërti në garën e zhvilluar ditën e diele në Holandë. Një garë ku Mercedesi kishte një strategji të mirë me pilotët e saj, por që u prish 20 xhiro nga fundit, nga hyrja në pistë e makinës së sigurisë.
Kjo penalizoi Hamiltonin, që kryesonte garën por kishte goma të mesme, ndërsa Verstappen montoi gomat e buta. Dhe për holandezin e Red Bull parakalimi ishte i thjeshtë, që në momentin që iku makina e sigurisë. E njëjta situatë si me garën e fundit të sezonit të kaluar, në Abu Dhabi.
“Isha i inatosur, pasi për një moment ishte njësoj sikur po përjetoja sërish garën e Abu Dhabi. Niveli i adrenalinës ishte i lartë dhe u zhgënjeva disi”, ka thënë Hamilton. “Gjithsesi, duhet të shohim anën pozitive, që ishim kompetitivë dhe kishim një strategji fituese. Pa makinën e sigurisë do të kishim fituar”, ka shtuar Hamilton, që u parakaluar edhe nga Leclerc e Russell, duke mos u ngjitur dot në podium.