Hamilton: Nuk doja ta mbyllja karrierën pa pilotuar me Ferrarin
Pas dy muajsh, piloti britanik Lewis Hamilton do të jetë pjesë e Ferrarit, duke u larguar nga Mercedesi. Makina italiane po lufton për titullin për konstruktorë dhe këtë sezon ka arritur pesë fitore në botërorin e Formula 1, sinjal ky pozitiv për shtat herë kampionin e botës. Këto fitore janë një motivim më shumë për të për të fituar titullin e tetë, ndërkohë që duket se edhe vetë piloti mezi pret të provojë një “kokëkuqe”.
“Ëndrra e çdo piloti është të garojë me një Ferrari. Nuk doja të shkoja në fund të karrierës sime duke pasur një peng të madh, që nuk kisha pilotuar një Ferrari”, ka thënë Hamilton.
“Unë nuk e di kur do të përfundojë karriera ime, por kam një plan shumë të qartë përpara. Shpresoj që përvoja të më ndihmojë te Ferrari dhe së bashku mund të formojmë një skuadër të fortë, që të fitojë dhe të arrijë objektivat e saj”, u shpreh Hamilton.