
Hamilton: Nuk e kisha imagjinuar që gjërat me Ferrari do të shkonin kaq keq në fillim
Edhe pse dy pilotët e Ferrarit u renditën në vendet 4-5 në garën e fundit zhvilluar në Bahrein, ky nuk ishte rezultati që te “kokëkuqja” shpresonin, si në këtë garë ashtu dhe në këtë fillimsezon. Ata sollën disa risi në Bahrein, përdorën një strategji ndryshe nga rivalët, por kjo nuk mjaftoi.
Piloti britanik Lewis Hamilton, 7 herë kampion bote në Formula 1, ka deklaruar: “Nuk e prisja që të shkonte aq keq ky start i sezonit. Nuk e mendoja se performanca ime do të ishte kështu dhe se aftësia ime për t’u përshtatur me këtë makinë do të ishte aq e keqe sa ishte në të vërtetë”.
“Unë nuk heq dorë, por duhet të përpiqemi t’i afrohemi edhe më shumë këtij potenciali që ka makina. Unë kam pilotuar në një stil të caktuar, në një mënyrë të caktuar dhe me të njëjtin ekip për një kohë të gjatë. Kam kaluar në një makinë të re që kërkon një stil të ndryshëm drejtimi dhe cilësime të ndryshme”, ka shtuar Hamilton.
“Kjo makinë kërkon një stil drejtimi shumë, shumë të ndryshëm, ndaj po përshtatem. Po vendos ngadalë disa gjëra në kokën time për të gjetur ekuilibrin e duhur. Por është gjithashtu e qartë se Charles fillon me një set-up dhe e mban atë praktikisht për të gjithë fundjavën, ndërsa unë jam shumë larg prej tij. Javën tjetër do të përpiqem të filloj nga një vend më i mirë dhe të mos ndryshoj shumë nga ajo bazë. Siç thashë, mendoj se kam mësuar se si dëshiron të drejtohet makina dhe shpresoj t’i zbatoj ato mësime fundjavën e ardhshme. Nëse mund të kualifikohem më mirë, mund të kem një rezultat shumë më të mirë”, ka pohuar Hamiltoni.